Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrjen e veprimtarive bërthamore ka konfirmuar se Irani ka tejkaluar kufijtë e lejuar të pasurimit të uraniumit në kuadrin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se inspektorët e saj konfirmuan të hënën se Irani ka kaluar 4.5% të pasurimit, duke shkelur kufirin prej 3.67% të vendosur në marrëveshjen që synon kufizimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Teherani.
Njoftimi vjen disa orë pasi agjensia e energjisë bërthamore e Iranit tha të hënën se vendi i ka tekjkaluar nivelet e pasurimit të uraniumit, sipas marrëveshjes ndërkombëtare.
Media shtetërore citonte zëdhënësin Behrouz Kamalvandi të thoshte se nivelet e pasurimit kishin arritur në afro 5 për qind, duke e shkelur kufirin prej 3.67% vendosur në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit.
Ai tha gjithashtu se Irani mund të konsideronte mundësinë të vazhdonte të pasuronte uranium deri në nivelin 20 për qind, si hapin e mëtejshëm në procesin e tërheqjes nga angazhimet sipas marrëveshjes bërthamorem nëse nuk merr ndihmën që kërkon për lehtësimin e sanksioneve.
Uraniumi i pasuruar në nivelin 5 për qind është i mjaftueshëm të prodhojë karburant për komplekse të energjisë bërthamore, por gjithsesi është shumë larg 90 për qindshit të nevojshëm për të ndërtuar një armë bërthamore.
Javën e kaluar, Irani njoftoi se e kishte tejkaluar kufirin e uraniumit të pasuruar prej 300 kilogramësh, por zyrtarët, përfshirë Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif, thanë se Teherani ishte gati t’i respektonte përsëri kufizimet e vendosura nga marrëveshja, nëse do të merrte ndihmën ekonomike nga vendet e tjera të përfshira në marrëveshje.
Presidenti iranian Hassan Rouhani kohët e fundit tha se vendi i tij do të fillojë pasurimin e uraniumit në nivele më të larta, nëse nuk lehtësohen sanksionet nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015.
Lëvizjet e Iranit janë kritikuar në Evropë. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic u tha gazetarëve se blloku është “jashtëzakonisht i shqetësuar” lidhur me rritjen e nivelit të pasurimit dhe se i kërkon Iramir “që të ndalë dhe të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet” që shkelin angazhimet e marrëveshjes bërthamore.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump paralajmëroi të dielën Iranin që “të ketë kujdes”.
Ai nuk foli konkretisht për masat që po konsideron administrata e tij, por përsëriti qëndrimin se “Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”.
Marrëveshja e ndalon Iranin të prodhojë uranium të pasuruar mbi nivelin 3.67% dhe e lejon të mbajë vetëm 300 kilogramë nga ky lloj materiali në
rezervat e vendit. /VOA
Top Channel