Të bllokuar në Bosnje, mijëra emigrantë përballen me një tjetër pengesë në udhëtimin drejt Bashkimit Europian, të nxehtin përvëlues në Ballkan.
Nën qiellin e pastër, Saleh Alhasan dhe miqtë e tij, nxitojnë të arrijnë nga njëra hije peme në tjetrën, pasi edhe një herë kanë dështuar të kalojnë kufirin me Kroacinë, barrierën e fundit që në rrugën e gjatë dhe torturuese të tyre, për në Bashkimin Europian.
“E kam provuar më shumë se 15 herë. Ka 10 muaj që përpiqem të kaloj. Dhe nuk do të dorëzohem. Dua vetëm të shoh djalin tim, të lindur në Suedi. E kam parë atë vetëm në foto”, është shprehur një emigrant.
Bashkëshortja e tij ishte mes qindra e mijëra refugjatëve, që ndoqën të ashtuquajturën “Trajektorja e Ballkanit”, në 2015, para se kufijtë e BE-së, të mbylleshin për ta. Në një rrugë plot pluhur, Saleh dhe shokët e tij kalojnë mes tabelave të kuqe, të varura nëpër pemë, që paralajmërojnë se fusha është e minuar, një trashëgimi e luftës së viteve 1992-1995 në vend.
Ata ndalen në një burim për tu freskuar, të dërrmuar pas ecjes së gjatë në temperatura mbi 35 gradë celcius.
Tani ata nuk e dinë se ku do të ndalen. Në Bihac dhe Velika Kladusa, afër kufirit Kroat, qendrat e pritjes janë të mbushura plot.
Sipas Ministrit të Sigurisë në Bosnje, më shumë se 34 mijë emigrantë nga Azia dhe Afrika kanë hyrë ilegalisht në vend, që nga fillimi i 2018. 11 mijë vetëm këtë vit.
Top Channel