Protestë e komunitetit shqiptaro-amerikan, para Shtëpisë së Bardhë: “Rama ik” para Trump

08/07/2019 12:04

Protestë kundër Edi Ramës edhe para Shtëpisë së Bardhë. Disa dhjetëra shqiptarë në SHBA u mblodhën në Uashington DC, për të protestuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros, në punët e Shqipërisë.

Ata iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump, me lutjen që të tregojë vëmendje, për atë që po ndodh në Shqipëri.

Grupet e shqiptaro-amerikanëve të mbledhur të dielën, përpara Shtëpisë së Bardhë, për të protestuar, i thanë Zërit të Amerikës, se ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale
për tubimin.

“Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni”, ka thënë Vera Matoshi.

Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër miliarderit George Soros, që ata thanë se po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.

“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen”, është shprehur Ervis Zholi.

“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar, por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme”, ka thënë në fjalën e tij, Besnik Xhama.

Të ardhurit ishin kryesisht nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani.

“Gjithë Shqipëria ndodhet në një kurth të tmerrshëm, nga një mafie që e ka gllabëruar dhe po e vjedh përditë. Është e pamundur që ata të lëvizin. Prandaj kam ardhur t’i kërkoj ndihmë Presidentit Trump. Ai duhet të dërgojë gjykatës dhe prokurorë. Vetëm gjykatës dhe prokurorë amerikanë mund ta ndryshojnë atë vend”, tha Viron Xhavara.

Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë. Organizata pan-shqiptare “Vatra” tha për Zërin e Amerikës, se nuk ka marrë pjesë në organizimin e protestës, por shprehu mbështetje për protestuesit, duke dërguar përfaqësuesit e saj. Protesta u zhvillua e qetë dhe zgjati rreth një orë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA