Në orën një të mesdites, Lideri i Demokracisë së Re dhe fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 7 Korrikut, Kyriakos Mitsotakis, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij, është betuar si Kryeministër i ri i vendit.
Ceremonia është zhvilluar sipas mënyrës tradicionale në prezencën e Presidentit të vendit, Pavlopoulos, nga kryepeshkopi i Greqisë dhe betimin ai e ka bërë duke vendosur dorën mbi ungjill.
Gjatë daljes së tij nga zyra presidenciale ai ka deklaruar se do të respektojë mandatin që i dha populli grek në zgjedhjet parlamentare të cilat i ka fituar bindshëm duke përqendruar gati 40% të votimeve të grekëve.
“Populli grek na dha dje një mandat të fuqishëm që të ndryshojmë Greqinë dhe këtë mandat do ta nderojmë deri në fund. Prej sot përveshim mëngët dhe kam besim të plotë tek mundësitë tona për tu treguar të denjë”, ka thënë Kryeministri i ri i vendit.
Me pas z. Mitsotakis është drejtuar tek zyra kryeministrore, për të marrë detyrën nga Kryeministri në largim, Aleksis Tsipras, i cili pasi e ka pritur e ka uruar për detyrën e tij të re.
Ndërkohë me interes të jashtëzakonshëm priten në orët në vazhdim emrat e Ministrave që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar, të cilat do ti bëjë të njohura Kryeministri i ri Mitsotakis.
Për postin e rëndësishëm të Ministrit të Jashtëm që do të trajtojë edhe marrëdhëniet greko-shqiptare përflitet emri i zotit Nikos Dendias , dikur Ministër i Rendit në qeverinë e Antonis Samaras, por diskutohet edhe një emër shumë i njohur në sallonet Europiane, ai i zëdhënësit të Presidentit të Komisioni Europian, Jean clode Junker, Margaritis Skinas.
Top Channel