Të mundësh SHBA në futbollin e femrave është praktikisht një mision i pamundur, për skuadrat e tjera.

Kjo u pa edhe në Botërorin e zhvilluar në Francë ku skuadra kampione e botës konfirmoi statusin e saj si të tillë duke fituar titullin e saj të 4 në 8 edicione të zhvilluara deri tani, një detaj ky që tregon dominimin total të kësaj skuadre.

Viktima e radhës e skuadrës së SHBA u bë Holanda pikërisht në finalen e kompeticionit, me skuadrën amerikane, që e fitoi me rezultatin 2-0.
Pjesa e parë u mbyll 0-0, por ishte SHBA që krijoi rastet më të mira për shënim, teksa në 2-3 momente u pa që të ndalej nga portierja holandeze, Van Fenendal.

Në pjesën e dytë skuadra e SHBA vijoi në këmbënguljen e saj dhe në minutën e 61 fitoi një 11 metërsh, që u konfirmua edhe nga sistemi VAR.

Kapitenia Megan Rapinoe nuk gaboi nga pika e bardhë dhe i dha avantazhin skuadrës së SHBA, që pak minuta më vonë gjeti edhe golin e dytë me Lavelle, një gol ky që i mbylli përfundimisht llogaritë e kësaj finaleje me SHBA, që shpallet sërish mbretëresha e futbollit të femrave, me Megan Rapinoe që mori në dorëzim “Këpucën dhe Topin e Artë të Botërorit”, përpara se të ngrinte trofeun e kampiones se botës për SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA