Një fjalim me tone kritike për kolegët e tij në Bashkimin Evropian, ka mbajtur sot presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, gjatë samitit të Poznan që u organizua në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në tryezë me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me kryeministret e Britanisë dhe Gjermanisë, Duda theksoi se Polonia mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit.
“Ballkani është, pikë së pari, një pjesë integrale e Europës, si gjeografikisht, ashtu edhe kulturalisht dhe historikisht. Pa integrimin e plotë të Ballkanit, së bashku me traditat e tyre të bukura dhe kulturën e larmirshme, Europa nuk do të jetë në gjendje kurrë të marrë frymë thellë. I them këto fjalë me ndërgjegjen e të qënit President i një vendi që ka përfituar shumë nga resurset zhvillimore të Bashkimit Europian, me dijeninë që këto resurse duhet të përdoren në të ardhmen edhe për të tjerët. Theksoj se Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit, jo Europën e paragjykimeve të ndërsjellta, e të mbylljes nga interesa dhe frika të veçanta. Nuk është kjo Europa që duam”, tha presidenti polak.
Ai u shpreh kundër vijimit të procesit të negociatave me shtetet ballkanike, pa patur një datë se kur do të bëhet i mundur anëtarësimi në BE.
“Vetëm përpara pak kohësh në Tiranë, në kuadrin e samitit të Brdo-Brijunit, pata mundësinë të flisja me shumë nga liderat e rajonit. Të gjithë theksuan idenë që integrimi europian është sot vizioni më i rëndësishëm që bashkon të gjithë rajonin, e mungesa e këtij vizioni do të destabilizonte seriozisht Ballkanin. Si pjesë e komunitetit europian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Do të përsëris këtu të njëjtat fjalë që thashë edhe në Samitin e Tiranës. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Inkurajoj këtë mesazh që të jetë një deklaratë e qartë e këtij Samiti të Poznanit”, tha Duda.
Në fund të fjalimit, presidenti Duda kërkoi nga kolegët e tij në BE që t’u tregojnë partnerëve ballkanikë solidaritetin e vërtetë, duke marrë vendimin politik për të zgjeruar bllokun.
“E ardhmja e Ballkanit do përcaktojë suksesin e zhvillimit në tre drejtime: ekonomik, institucional dhe të sigurisë. Besoj se qëllimi që ky rajon ka, i njëjti qëllim që ka e gjithë BE-ja është: së pari, pasuria ekonomike, së dyti, rritja e cilësisë dhe forcimi i institucioneve shtetërore dhe, së treti, zhvillimi i sigurisë së qëndrueshme në këtë pjesë të Europës. Vendet e Europës Juglindore duhet të përfitojnë sa më shumë të munden nga kjo periudhë që i paraprin anëtarësimit. Ata duhet së pari të zbatojnë reformat e domosdoshme. Megjithatë ata nuk mund të lënë pas dore integrimin e vendit, që, duke marrë parasysh të shkuarën kaq të ndërlikuar, duhet të mbështetet në frymën e faljes dhe të përpjekjeve për mirëkuptim. Mendoj që pajtimi mes Polonisë dhe Gjermanisë, që përmënda në fillim, mund të shërbejë si një shembull i mirë për tu ndjekur. Gjithsesi, ne, politikanët që përfaqësojmë Bashkimin Europian, duhet t’i tregojmë partnerëve në Ballkan solidaritetin e vërtetë, duke marrë vendimin politik për të zgjeruar bllokun”, u shpreh Andrzej Duda.
Top Channel