Tërheqja nga prishja e 30 qershorit, nuk do të stopojë aksionin opozitar. Të hënën rinisin protestat ndërsa Lulzim Basha mblodhi strukturat në seli për t’i qetësuar, se asgjë nuk ka ndryshuar.
Në mbledhjet e njëpasnjëshme, me Kryesinë, aleatët dhe Këshillin Kombëtar Lulzim Basha lajmëroi strukturat të rrinë në gatishmërinë pasi nuk do të ketë pushime verore as për ta dhe aq më pak për kundërshtarin polik.
Krah tij Lulzim Basha ka Sali Berishën.
“Opozita bëri një tërheqje, e vërtetë, por bëri shumë mirë. Liria ime përfundon aty ku fillon e tjetrit. Kryengritje popullore deri në 51 format e mosbindjes civile”, u shpreh Berisha.
I ashpër Sali Berisha u tregua me ndërkombëtarët, ndërsa përjashtim bën për misionin e OHDIR që sipas tij rrëzoi 30 qershorin e socialistëve.
“Ata që i thonë shqiptarëve të gjykojë Gjykata Kushtetuese, pasi është varrosur i dënuari, bëjnë një propozim qesharak. Po kaq qesharak është edhe ideja që të hetojë drejtësia regjistrimet që tregojnë në mënyrën më flagrante se Shqipëria sundohet nga një narko-shtet. Cila mafia në botë heton veten. Ajo pseudo reformë e Soros që do t’i jepte Ramës të gjitha pushtetet, si edhe çoi drejtësinë në narko-drejtësi”, u shpreh Berisha.
Në takimin me të vetët Lulzim Basha mori meritat e refuzimit popullor, kur tha se partia Demokratike është aksionarja kryesore e asaj që ndodhi në 30 qershor edhe pse nuk mohoi meritën e aleatëve. Kryedemokrati kërkoi mbështetjen për një tjetër betejë atë të kryebashkiakëve të cilët do të refuzojnë ti lënë zyrat të zgjedhurve socialist, vendim që ka edhe mbështetjen e aleatëve.
“Nuk diskutojmë çështjen e zyrave, kryebashkiakët janë legjitim deri ditën që do të zhvillohen zgjedhjet e tetorit”, u shpreh kryetarja e LSI.
Monika Kryemadhi siguroi se protesta e së hënës do të jetë paqësore, ndërsa paralajmëroi kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm të mos provokojnë opozitën.
Top Channel