Mbrëmjen e 30 Qershorit nga selia rozë kryesocialisti Edi Rama u angazhua për zhvillimin e një debati të brendshëm në PS, për të analizuar qeverisjen qendrore dhe vendore, për të programuar të tëra korrigjimet e nevojshme.
Në funksion të këtij deklarimi, Edi Rama nuk ka humbur aspak kohë.
Paraditja e së mërkurës e gjeti kryeminstrin për rreth 90 minuta në drejtimin e Kryesisë së PS.
Burime nga kjo mbledhje i thanë Top Channel se kryefjala e saj ishte rezultati 30 Qershorit për të cilin kryeministri kërkoi një analizë të gjerë e të thelluar në të gjitha degët e PS në rrethe.
Gjetjet e kësaj analize do t’i bëhen publike dhe diskutohen në mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS në fund të Korrikut.
Po ashtu Top Channel ka mësuar se kryeministri la dy detyra specifike për dy prej antarëve të Kryesisë.
Për hapjen akoma edhe më shumë të PS, përfshi organizimin, si dhe forcimit të aspektit dixhital.
Krahas kësaj analize e cila do të fokusohet në dhënien përgjigje të pyetjes përse kaq shumë vota të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë, socialistët do ta avancojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Në seancë parlametare e të enjtes 4 Korrik është listuar për diskutim ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të shqyrtojë atë që maxhoranca e quan shkelje kushtetuese të presidentit Ilir Meta.
Burime nga PS sugjerojnë se menjëherë pas ngritjes të këtij komsioni parlamentar të premten do të zhvillohet mbledhja e parë.
Ky komision nuk do të marrë një kohë të gjatë për të hartuar raportin e shkarkimit.
Fakti se të hënën e 8 Korrikut ora 18:00 është lënë një seancë e posacme parlamentare, sugjeron se pikërisht në këtë seancë me debat do të diskutohet shkarkimi e më pas votimi Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Edhe nëse propozimi për shkarkim do të marrë 94 votat e duhura, thjesht Ilir Meta më pas, do të marrë statusin e presidentit të shkarkuar nga Parlamenti.
Vlefshmërinë e shkarkimit do ta vulosë Gjykata Kushtetuese, tre antarë të së cilës duhet t’i propozojë vetë presidenti Meta.
Top Channel