Presidenti Ilir Meta është përfshirë në një kurs të thellë përplasjesh me maxhorancën dhe në veçanti me kryeministrin Edi Rama.
Por ndonëse Rama po refuzon t’i përgjigjet kritikave dhe akuzave të Metës, është zëdhënësja Elisa Spiropali, që po replikon në emër të kreut të qeverisë.
“Baba Xhikja na la po Reformën në Drejtësi meazallah se e lëshon në rrokullimën e tij të zhurmshme! Ajo i del në gjumë, në ujë, në bukë, madje edhe në rrugë. Të shkretit Baba Xhike nuk i iket pa e vrarë atë dreq reforme, që e sheh si top, tank, kundërshtar, agresor ndërkombëtar”, shprehet Spiropali.
Ndërkohë që mbrojtjen e Ramës e ka marrë përsipër Spiropali, Metës po i dalin për zot ish-deputetët e LSI-së. Kejdi Mehmetaj dhe Nora Malaj kanë replikuar me zëdhënësen e Qeverisë.
Mehmetaj: “Zukatja e Elisës është bërë si ajo e mizës së kalit. Pasi del nga poshtë bishtit të kalit i duket vetja se eshte e mençur dhe triumfatore. Nga “Ramaforma” në drejtësi ajo është një ndër përfitueset e para, duke shpëtuar nga raportet e “Croën Agents” që u fshinë, nga nafta bruto që derdhej lumë në serbatorët e makinave të shqiptarëve dhe mushkritë e femijëve, deri tek dogana e Fierit që u bë më e madhe se ajo e Durrësit. Nga tenderat e ujësjellsave tek kondicionerët dhe kolitë e cigareve që zhdoganoheshin si rroba të përdorura. Fiks siç është edhe vetë, nje rrobë e përdorur!
Miza e kalit vazhdon zukatjen. Sa të ketë PPP-në e zgjedhur me 69 vota ajo do “bëz bëz” e qetë.
Por fundin do e ketë si një rrobë shumë e përdorur e hedhur pa asnjë dhimbshuri në kazanet e plehrave, nga ku sot merr vëmendje zukatja e saj.”
Malaj: “Nje këshillë për ish-nxënësen time Elisa!(Spiropali)
Elisa,
si mësuesja jote, që në adoleshencën tende të kam përkrahur dhe promovuar, teksa të dëgjoj të fyesh dhe të dalësh jashtë etikës dhe qytetarisë, veçanërisht figurën e Presidentit të vendit tend, të votuar dhe zgjedhur nga Partia që ti përfaqëson dhe që çdo shqiptar e bënë të ndjehet krenar, më bën të ndihem keq, që më paska ikur mundi dëm. Por, të kujtoj një thënie të mençur të popullit tonë: “Para të madhit e prapa kalit (qoftë edhe ai i Skënderbeut) mos qëndro“!
Kujdes, se gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Unë të kam mësuar që fjala është e shenjtë dhe nuk duhet keq përdorur, aq më tepër kur bëhet sharëse e fyese dhe përdoret në gojën e një zonje, nëne dhe ministreje, të bënë të ndjesh dhimbje.
Mos merr modelet që të shpërfytyrojnë, por modelet që të nderojnë.
Jeta është e gjatë, por duhet jetuar me dinjitet, jo me gjuhën e rrugës dhe rrugaçërisë.
Kjo ishte një këshille për ty, pas kësaj maskarade zgjedhore, ku çdo politikan i pozitës dhe opozitës duhet të ndjej përgjegjēsi.”
Top Channel