48 orë ka zgjatur procesi i numërimit të votave për kryetar bashkie dhe këshillin bashkiak në të gjithë vendin për zgjedhjet lokale të 2019. Partia Socialiste do të drejtojë 60 bashki përvec asaj të Finiqit, ku PS mbështeti kandidatin e partisë së minoritetit grek.
“Sipas të dhënave paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik të të dhënave të KQZ-së, rezulton se kanë marrë pjesë në votime812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie është 765.825 ndërsa për këshill bashkiak, 760.933”, tha Drilona Hoxha, zëdhënëse e KQZ.
Edhe pse pjesëmarrja në këto zgjedhe ishte më e vogël se ajo e zgjedhjeve parlamentar të 2017, ku 46,75% e personave më të drejtë vote shprehen vullnetin e tyre në kutitë e votimit dhe rezultuan 31.898 vota të pavlefshme, në 30 qershor, numri i votave të pavlefshme ishte më i lartë.
“Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986. Në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar”, tha Hoxha.
Në këto zgjedhjet votat e pavlefshme në pjesën më të madhe nuk ishin gabimisht të tilla. Votuesit kanë shkuar në qendrat e votimit dhe kanë fshirë të gjithë kandidatët apo kanë shkruajtur në formë proteste mosaprovimin e tyre për këto zgjedhje. Top channel tregoi disa nga këto vota proteste, të cilat në gjithë vendin janë dhjetëra mijë.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rezultatet zyrtare bën të ditur se: Rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor.
Për 51 bashki ku ka patur vetëm një KZAZ afati ankimimit është 5 ditë nga data e miratimit të vendimit për nxjerrjen e rezultatit, ndërsa për 10 bashkitë ku procesi është administruar nga me shumë se një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon në datën e miratimit të tabelës së rezulateve nga KQZ.
Top Channel