Presidenti Ilir Meta sfidon maxhorancën qeverisëse e cila ka nisur procedurën e shkarkimit. Në tavolinën e shahut politik për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se është 3 hapa përpara, presidenti bën një lëvizje të papritur duke propozuar që fatin e tij për të qëndruar në pallatin presidencial ta vendosë populli.
“Në 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për presidentin. Dhe unë do kandidoj për president me këto kompetenca. Edi Rama dhe kuvendi socialist që nuk më dëshirojnë të vënë kandidat këtë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit. Nëqoftë se ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog por që nxit sherr në Shqipëri ta bë, ta dëgjojmë. Asnjë propozim që dhunon parimet e shtetit unë nuk e pranoj. Kush do të lahet në pishinë, le të lahet nuk ka snjë problem, sezon vere jemi. Por do marrë faturën e thellimit të kësaj krize, nuk e meritojnë shqiptarët këtë krizë ”, tha ai.
Presidenti kishte një mesazh me ton deri diku kërcënues për ish aleatin Edi Rama duke i kujtuar Avni Rustemin.
Presidenti për javë të tëra, i ka kërkuar dhe i ka treguar rrugën e zgjidhjes, e cila nuk është rruga e zgjidhjes “Rama ik”, siç kërkon Basha, Kryemadhi dhe Berisha. Edi thellohu, se ky është atdheu i gjithë shqiptarëve. Në rast se ti nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura në interes të vendit tënd, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojmë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që u duket Shqipëria një mizë lisi e mund të tallen si të duan me strukturat e tyre të deep state dhe state capture. Sepse Ilir Meta nuk është i rracës së Gruevskit dhe është presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Jam i racës së Avni Rustemit, Mic Sokolit, Vojo Kushit etj. Është mirë mos ta provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur interesat e vendit tim. dhe në qoftëse më thotë më burri Monikës, do t’i them gruaja e Bilalit, unë jam presidenti i Republikës dhe nuk më intereson as Monika dhe asgjë tjetër. Monik hallet e saj dhe të fëmijëve të saj i ka të rregulluar, dhe për këtë duhet ta falenderojë ajo Edin, jo vetëm ta kritikojë, se falë firmës së Edit e Lulit si kryetar bashkie ka një pallat atje, afër Unazës së Re edhe i ka të sigurt fëmijët Monika”, tha ai.
Uragani deklarimeve të presidentit Ilir Meta përfshiu edhe ambasadorët.
“Për mua demokracia është e panegociueshme. Me asnjë ambasadë, asnjë shtet dhe me gjitë botën. ftoj dhe përfaqësuesit e huaj mos të bëhen qesharak sepse ne jemi vendi i NATO-s kemi 10 vjet, mos të tallen me Kushtetutën tonë, dhe duhet t’i zgjedhim vetë çështjet si burra shteti. Të heqim dorë nga loja ambasadash”, tha Meta.
Top-Channel e pyeti presidentin nëse këto qëndrime po e fusin Shqipërinë në një kurs përplasje me SHBA.
“ Marrëdhëniet e mia me SHBA kanë qenë gjithmonë, dhe do jenë të kristalta, të sinqerta dhe jashtë çdo lloj hije dyshimi. Mos kam ndërhyrë unë gjë në zgjedhjet në Amerikë, jo. Kam financuar ndonjë fondacion në Amerikë? ’, tha ai.
Presidenti i akuzuar nga Edi Rama si pjesë e një komploti për rrëzuar rendin kushtetues u distancua nga qëndrimet e opozitës.
Në një kohë kur Edi Rama e ka akuzuar presidentin dhe opozitën se kanë frikë nga reforma në drejtësi, zoti Meta iu përgjigj duke i kujtuar Xhorxh Soros.
“Kam edhe dy fjalë për George Soros. Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin kur më tha të keni kujdes sepse nuk është aq demokrat sa duket. George Sorosit i uroj jetë të gjatë dhe i uroj suksese, t’i gëzojë ato miliardat e veta”, tha ai.
Meta tregon ‘grupin e strukturuar’ që po vepron në Shqipëri: Bazohet në ‘deep state’
Top Channel