Shqipëria përgatitet për një situatë të tensionuar zgjedhore e mban një palë zgjedhje si asnjë tjetër që prej daljes nga komunizmi në 1990-tën, thotë BBC, duke treguar që në fillim të lajmit sesa të veçanta konsiderohen këto zgjedhje të shumë diskutuara lokale në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama, vazhdon ajo, u angazhua fort në fushatën elektorale për lokalet e së dielës, edhe pse kandidatët e tij socialistë nuk kanë thuajse asnjë lloj opozite në kutinë e votimit.
Kjo, shpjegon gjiganti britanik i mediave, vjen si rezultat i opozitës qendrore në vend, e cila i ka bojkotuar këto zgjedhje. Por në pasqyrimin e BBC-së përmendet dhe thirrja e drejtuar militantëve opozitare për të ruajtur qetësinë e shmangur dhunën që ka shoqëruar disa prej protestave të saj, që paraprinë procesin zgjedhor, me thirrjet për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit e mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Nuk lihet pa përmendur edhe momenti që i shtoi dramaticitetin situatës përpara votimit, vendimi i Presidentit Ilir Meta për ta shtyrë atë dhe përplasja me Kryeministrin që e hodhi poshtë zhdekretimin e tij, e nisi, siç thekson BBC, lëvizjet për të fajësuar kreun e shtetit, dikur aleat të vetin.
Çfarë ndodh të dielën, është pyetja e shtruar, se cilës i bën këtë shpjegim: votimi po ecën përpara, me kritikët që as nuk i etiketojnë si zgjedhje duke marrë parasysh mungesën e konkurrencës. Disa kryebashkiakë lokalë të opozitës kanë përdorur kompetencat e tyre për të ndaluar përdorimin e ndërtesave publike, siç janë shkollat, si vendvotime.
Mbështetësit e tyre janë përleshur me policinë dhe në disa raste i kanë vënë zjarrin fletëve e kutitë te votimit.
Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike më të madhe të opozitës, ka qenë nën presionin ndërkombëtar për të frenuar militantët, thekson BBC, duke nënvizuar sesi në prag të votimit, ai i kërkoi atyre të përmbahen nga dhuna. Rama, vazhdon media britanike, e ka tallur pa mëshirë atë dhe gruan e Presidentit që drejton një prej partive të opozitës.
“Associated Press” flet për një palë zgjedhje lokale që papritur morën një rëndësi mjaft më të madhe se zakonisht si test i demokracisë në vendin ish komunist që shpreson të çelë negociatat e anëtarësimit me BE-në. Shqipëria, thotë DW, përballet me situatë të paprecedentë! Dy data zgjedhjesh, heshtje zgjedhore si edhe mosbindje civile.
Rreziku i akteve të dhunës është i pranishëm, prandaj policia po angazhohet maksimalisht. Për Al Xhaziren, vendi ynë i është drejtuar një palë zgjedhjeve përçarëse, megjithatë për rezultatin e tyre nuk ka asnjë dyshim, thotë ajo: opozita do të humbasë pushtetin në të gjitha njësitë administrative që kontrollon aktualisht.
Top Channel