SHBA fiton sfidën ndaj Francës, në atë që konsiderohej si finalja e parakohshme e Botërorit të Femrave dhe kualifikohet për në gjysmëfinale të këtij turneu, që po zhvillohet pikërisht në vendin Transalpin.
Skuadra kampione në fuqi e botës e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 2-1 ku protagoniste, ashtu sikurse në ndeshjen ndaj Spanjës, u bë kapitenia Megan Rapinoe, e cila është e përfshirë edhe në një luftë frontale deklaratash me presidentin amerikan Donald Trump.
Skuadra amerikane e gjeti golin e avantazhit që në minutën e 5, kur Rapino ekzekutoi saktë një goditje dënimi duke bërë që SHBA të vijojë traditën e shënimit të golave në 12 minutat e para gjatë këtij Botërori.
Franca reagoi dhe krijoi shanset e saj të shënimit të golit të barazimit por pa ia dalë mbanë dhe pjesa e parë u mbyll me avantazhin e amerikaneve 1-0. Në pjesën e dytë u panë mundësi shënimi nga të dyja skuadrat, por ishte sërish SHBA ajo që e gjeti atë, ku edhe në këtë rast ajo që dërgoi topin në rrjetë ishte Rapinoe që e çoi rezultatin në 2-0, ndërkohë që ajo vetë arriti në kuotën e 5 golave të shënuar në këtë turne.
9 minuta nga fundi Franca rihapi llogaritë e ndeshjes me Renard duke shkurtuar rezultatin në 2-1, që mbeti i tillë deri në fundin e saj me SHBA që e sheh veten mes 4 më të mirave.
Gjermania do të jetë pengesa e fundit për skuadrën amerikane në rrugën e saj drejt finales së radhës së Botërorit.
Top Channel