Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj i ftuar në studion e “Top Talk” deklaroi se Presidenti Ilir Meta është i izoluar ndërkombëtarisht.

Duke folur në Top Talk, Veliaj deklaroi se këto qëndrime të Metës janë përkundër edhe qëndrimit të partnerëve të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

“E kuptoj sikletin e Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës sot është mohuar nga të gjitha kancelaritë e huaja. Presidenti i Republikës sot nuk është përfillur fare në vendimin e tij, as nga SHBA, as BE, dhe as OSBE. Me gjithë letrat dhe me gjithë dekretet e tij. Qartazi sot Presidenti ndihet në një qoshe. Komplet i izoluar ndërkombëtarisht, dhe qartazi po shikon pronën e tij, që është LSI, një korporatë dhe një biznes politik, totalisht e falimentuar. Një biznes i cili ishte ngritur mbi idenë që çdo njeriu i gjejmë dhe sot kanë lënë gjithë njerëzit e tyre pa panë dhe në pak ditë edhe Presidentin e Republikës që po hetohet me komision hetimor. Pra në kushtet kur je në një sëkëlldi, ku je në një siklet, ku të kanë vënë në një qoshe, ku s’të përfill askush, ku gjykatat po të rrëzojnë vendimet, ku SHBA-të s’po të njohin asnjë datë, as po të takojnë, ku me shumë gjasë po rrezikon edhe izolime të tjera, siç besoj do dëgjojmë sot nga z.Palmer dhe nga SHBA”, tha Veliaj.

Duke komentuar deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë, kandidati socialist Erion Veliaj tha se ato që prishin zgjedhjet në Shqipëri, do të kenë klasifikime ku do ju mohohet viza.

“LSI këtë e di fare mirë, mjafton të pyesë z.Vasili. Ai e provoi të shkonte në Amerikë, si armik i reformës në drejtësi, si një njeri që ka stimuluar dhunën, dhe Titi ngeli në shtëpi. Kështu që për të gjitha këto arsye, besoj se provat i kanë brenda familjes së tyre, fizike, biologjike, dhe politike. Kështu që për të gjitha këto arsye ia kuptoj hallin Presidentit. Pra detyrohet të bëjë gaztorin dhe të sillet si klloun, në momentin që është izoluar nga të gjithë, dhe s’po e përfill askush”, tha Veliaj duke shtuar se me këtë qëndrim Presidenti do të hyjë në librat më të zi të historisë sonë. “Hallin atij ia kuptoj, madje këshilloj që edhe të tjerët që mendojnë si ai që ka një datë imagjinare të datës 13, kjo qenka e zgjidhur të vazhdojnë të ushqejnë veten me datën 13 e të rrinë në shtëpi. Por nëse del përpara një KZAZ-je dhe je me molotov në dorë, dhe je me fishekzjarre në dorë, me një copë tulle, një copë guri, për të djegur një shkollë. Do të hyjmë bashkë me presidentin në librat më të zi të historisë sonë. Kjo është kaq e thjeshtë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA