Sot ka patur zhvillime intensive politike. Dita nisi me një konferencë shtypi të Presidentit të Republikës ku përsëriti qëndrimin e tij se 30 Qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Në një valë me presidentin u shfaq edhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha pas një takimi që pati me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Tiranë. Për të folur mbi këto zhvillime i ftuar në studion e Top Talk, ka qenë publicisti dhe gazetari Frrok Çupi.

“Nuk mund kthehet ky vend në një tirani personale, apo në koloni të një fondacioni të huaj”, deklaroi Meta, mëngjesin e së martës.

Fjalimin e Metës, Frrok Çupi e sheh si një mesazh që u drejtohej superfuqive të lindjes dhe perëndimit.

“Fjala e sotme e Metës nuk ishte drejtpërdrejtë me ne. Meta ka folur sot me Lindjen dhe me Perëndimin. Në momentin kur ai deklaroi se këtu nuk do të bëhen zgjedhje, e se zgjedhjet e dëmtojnë pranimin në BE. E deklarata e dytë për fondacionin, që mund të jetë fondacioni Soros, do të thotë se i bënte mesazhe lindjes. I bënte mesazhe Rusisë, i kërkonte ndihmë. Për shkak se Rusia është vetëshpallur si një denoncuese e fondacionit Soros, që po dëmton demokracitë në lindje. Ndërkohë herëpashere i bënte mesazhe SHBA-ve, se nuk do të jesh ti fuqia që do të sundosh këtu”, u shpreh Çupi.

Ndërsa deklaratën e Metës se ringritja e Republikës nis nga Presidenca, Çupi e lexon si një krizë personale të Presidentit Meta, e si një mesazh për mbështetësit e tij.

“E lexoj si një krizë personale, marrëzi të thuash se unë do e ngre Republikën. Por ndërkohë është një mesazh për ushtarët e tij të bindur. Të cilët bashkë me PD i kanë lëshuar për të rrënuar procesin zgjedhor dhe paqen në vend”, tha Çupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA