Nga Alda Bardhyli
“Ishte bukur të merrje letrën tënde kaq shpejt në këtë hotel të lezetshëm! Kur ma sollën, isha shtrirë në verandë në një divan të vogël, duke lexuar libra. Po, tani jemi shumë afër njëri-tjetrit, të paktën për tre javë do të dëgjoj zërin tënd dhe do të jem një ose dy ditë larg teje. Fli mirë gjatë këtyre të fundit javë të vetmuara! Unë këtu fle aq shumë, sa gjumi do të më neveritet për të paktën dy muaj; nuk do të lë të flesh natën, sepse do të më duhet të sigurohem se më do vërtet. Por, kur do të jesh i bindur, ma thuaj! Ditën do të na duhet të ngjitim shumë vullkane, të shohim varre të lashta dhe të kapim avionë. Jo, nuk do të humbasim kohë me ëndrra të kota kur të jemi bashkë, prandaj nëse je krokodil i zgjuar, tani fli shumë mirë…”
Simone De Beauvoir
Ishte e enjte 14 prill i vitit 1948, kur në dhomën e vogël të një hoteli në Ramatuelle, Simone De Beauvoir i shkruante këto rreshta për Nelson Algren (poet amerikan). Një vit më parë, ajo e kishte njohur burrin me shtatin e lartë, veshur me këmisha të kaltra përthyer tek mëngët në Cikago, e që kur silueta e tij humbi tej dritareve të trenit që po e çonte për Nju Jork, ajo nuk donte gjë tjetër veç të shihte sërish vështrimin e tij. Dritat e apartamentit që ndante në Paris me Sartrin do të fikeshin gjithnjë teksa ajo mbyllte ngadalë letrën për të. Pothuajse çdo ditë, si këtë të enjte në Ramatuelle ajo i shkruante atij, e bindur se shkëndija që kishte përshkruar trupin e saj në Chikago, do ti bënte të ishin sërish bashkë. “Jam shumë e lumtur. Kur zgjohem çdo mëngjes, qielli është i kaltër dhe zemra më rreh nga lumturia e dashuria. Shumë shpejt, kur të hap sytë do të të shoh ty i dashur: do të shoh fytyrën tënde të dashur prej krokodili që më vështron me dinakëri. Dikur më the që jam grua e çuditshme, sepse rri larg shumë kohë dhe i jap dashurisë shumë pak nga vetja. Por, unë mendoj se jam grua e çuditshme, sepse i jap dashurisë shumë nga vetja, sepse jetoj shumë afër teje, aq afër sa nuk më sheh dot; ndonjëherë më gllabëron brenda vetes tënde, apo jo? Ashtu të gllabëroj edhe unë? Mirë, do të dal jashtë që të ndryshoj pak, që të më shohësh, të më mbash e të më puthësh. Nuk mund të kishe grua më besnike, të afërt e të dhembshur”, shkruan ajo.
Janë rreth 3 mijë letra dashurie që vajza e saj e adoptuar Sylvie Le Bon de Beauvoir i solli në një libër rreth dy vite më parë. ”Një dashuri transantlantike”, quhet libri i cili na njeh me një nga romancat më të bukura letrare të shekullit të XX-të. Fjalë që përshkonin oqeanin bashkë me dridhjet e zemrës së një gruaje nga më të pazakontat në Francën e atyre viteve, që ka përsëritur ndoshta më shumë se kushdo në 600 faqe libër fjalën “të dashuroj”.
“Jam e lumtur kur zgjohem, e lumtur kur fle, e lumtur kur shëtis mes shkurreve, e lumtur kur lexoj fjalë amerikane, kur shkruaj librin tim dhe kur shtrihem në diell. Të dashuroj!”, i shkruan ajo.
Të gjithë ata që njohin letërsinë dhe shkrimet filozofike të de Beauvoir, leximi i këtyre letrave ia bën më të dashur portretin e saj. Sinqeriteti me të cilën ajo përshkruan jo vetëm ndjesitë e të qënurit larg njeriut të zemrës, por dhe bashkëjetesën me Sartrin, karakterin e tij shpesh të turpshëm, jetën letrare të Parisit, Kamy-në, hotelet ku pihej skoc, kërkimet në biblioteka mbi autoret femra në essetë e saj mbi feminizmin apo librat që ka në proces e deri tek gjërat e thjeshta të jetës, si dhe dështimin e manifestit e bën figurën e saj më tërheqëse.
“E ke lexuar librin e Kamysë ‘Murtaja’ që është ndër librat më të shitur? Në të vërtetë, nuk e kuptoj qartë pse ka patur aq sukses në Amerikë. Mua më shumë më pëlqen ‘I Huaji’, por do të doja ta dija se ç’mendon kur të të rastisë ta lexosh. Tani po lexoj një libër mjaft të mrekullueshëm! Zot i madh! Unë nuk kam guxim të shkruaj libra kaq të gjatë, siç është ‘Lufta dhe Paqja’ nga Tolstoi. Kur isha vajzë më pëlqente, por atëherë nuk kuptoja gjithçka; tani më duket vërtet i mrekullueshëm. C’stil në rrëfimin e historive dhe përshkrimin e njerëzve! Por dhe sa thjeshtësi. Nuk duket ndonjë art kushedi çfarë, por pikërisht këtu fillon arti i vërtetë”, shkruan ajo.
Nga Berlini, Vjena, Italia ku udhëtonte bashkë me Sartrin ajo nxitonte të gjente postën më të afërt e të hidhte në kuti letrën për të. E kur letrat e tij vonoheshin, ajo nuk ishte më e njëjta. Trishtimi rrokullisej në sytë e saj të vegjël.
“I dashur! Nuk dua t’ia di për Misisipin, Guatemalën, Jukatanin; mendoj vetëm për ty. Kur bëj sikur jam me ty, Meksika apo Nju Orleansi duken mjaft të rëndësishëm, por kur kuptoj që nuk je me mua, dua vetëm një gjë: të të mbaj në krahë, të më rrëmbesh sërish në krahët e tu. Tani çdo orë është çast që shket drejt teje, i dashur. Dalë-ngadalë, por sigurisht që koha po të sjell tek unë. Ditë e net, në diell e në të ftohtë, do të vij në fund të prillit dhe në folenë tonë në rrugën Wabansia. Pastaj do të ndalem për një kohë të gjatë, e zemra ime do të trokasw vetëm me një të rrahur. Të dua! Malli, pritja, shpresa do të ndalin; unë do të jem aty ku e kam vendin. Të përkas ty”.
Në kohë kur kërkimet ndaj artit i largohen gjithnjë e më tepër dashurisë, letrat e De Beauvour e pse mbërrijnë nga një tjetër kohë tregojnë se asnjë rrugë e gjatë nuk mund të jetë e plotë pa të. Ndoshta kjo është arsyeja që editori i këtyre letrave ka vendosur të mos i përfshije në këtë libër letrat e Algren. Pak rëndësi ka se çfarë mendonte poeti kur lexonte letrat e saj. Me siguri që dhe letrat e tij do të jenë po kaq të bukura.
“Nuk kam shumë për të thënë, nëse nuk flas mbi padurimin tim për të ardhur tek ti, gjë që po fillon të bëhet e mërzitshme, edhe për mua. Është njëfarë sëmundje. Ka dy ditë që ka filluar shiu, një shi i rrëmbyeshëm, por them se as nuk krahasohet me shirat në Jukatan. Pra, nuk dal dot shëtitje por vetëm shkruaj dhe lexoj. Po filloj të mendoj për një novelë që duhet ta shkruaj dhe mbase ta vë në skenë, por jo tani. Nuk bëj dot shumë gjëra në të njëjtën kohë; në fillim duhet të përfundoj këtë librin për gratë”, shkruan ajo.
Në librat e De Beauvoir mund të gjejmë personazhe grash të dashuruar por këto letra na njohin me një ndër personazhet më të përkryer të shkruar prej saj, vetë Simonën. Këto letra që do të vijë së shpejti në gjuhën shqipe, do t’ju zgjojnë damarët e dashurisë.
Top Channel