Të përndjekur dhe burgosur më shumë se njëherë. Pushkatuar më 28 maj 1979, për qëndresën e tyre ndaj përdhunës së regjimit diktatorial komunist, gazetaret e Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho e kanë tashmë një pllakë përkujtimore, megjithëse s’dihet ende ku i prehen eshtrat. Në hapësirën e gjelbër të Kryeministrisë, pasditen e 19 qershorit, një ceremoni e thjeshtë me inisiativën e kryeministrit, mblodhi familjarë të tyre për të vendosur një lule në kujtim të tyre.
Zana Kokomani ishte vetëm një fëmijë kur e ka parë për herë të parë xhaxhain e saj Fadil Kokomani.
“Për herë të parë e kam parë kur kam qenë shtatë vjeçe, erdhi në Gjirokastër, se ne atje jetonim. Babi im ka qenë ushtarak dhe kemi lëvizur nëpër rrethe. Ajo që më bëri përshtypje është që na përqafoi menjëherë . U mor shumë me ne, dhe për mua ishte shumë i bukur. Ishte shumë i ëmbël, pikturonte ca gjëra për të na bërë qejfin dhe për të na tërhequr”, thotë Kokamani.
Zana tregon se tashmë edhe shpresa për të gjetur eshtrat është shuar. Por të paktën ekzistenca e kësaj pllake i qetëson.
“Jemi të qetë, sepse diku do të vemë një buqetë me lule, sepse eshtrat e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, pavarësisht se i kemi kërkuar nuk gjenden”, thotë ajo.
Këta dëshmorë deri në flijim të dinjitetit të njeriut dhe të profesionit të gazetarit, e kanë tashmë vendin e tyre në histori, si intelektualë të mëdhenj dhe akuzues së diktaturës.
“Ka njohur gjithë kollosët e shkencës dhe të kulturës, kjo është pasqyruar në mbrojtjen që ka bërë dhe nga një i akuzuar u kthye në akuzues”, thotë ajo.
Tashmë kjo hapësirë e gjelbër, 40 vjet pas pushkatimit të tyre, quhet Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho.
Top Channel