Maxhoranca qeverisëse është e vendosur në rrugën që ka nisur për të shkarkuar presidentin e republikës Ilir Meta. Komisioni i Ligjeve diskutoi për kërkesën e depozituar nga 55 deputetë të Partisë Socialiste, për të shkarkuar Presidentin, pas dekretit të tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Për më shumë se 60 minuta në Komisionin Parlamentar të Ligjeve është diskutuar kërkesa e 55 deputetëve, mes tyre edhe deputetë të opozitës së re. Në këtë komision është diskutuar vlefshmëria dhe ligjshmëria e kësaj kërkese dhe hapat që do të ndërmerren më pas.
Që në fillim kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja, u shpreh se “nëse Presidenti kërkon të vijë në Komision, i krijohet kjo mundësi. Ky Komision do t’i çojë një ftesë Presidentit për të ardhur dhe për të shpjeguar qëndrimet e tij, të cilat janë bërë publike me datë 10 qershor, se përse Presidenti çdekretoi datën e zgjedhjeve”.
Ndërkohë, deputeti Ralf Gjoni tha se maxhoranca po i bën karshillëk Presidentit të Republikës. Ai u shpreh se i duket i nxituar që në kontekstin aktual politik, maxhoranca të ndërmarrë një hap të tillë, duke iniciuar shkarkimin e Presidentit. Zoti Gjoni ka kërkuar që procedurat e nisura të shtyhen pas 30 qershorit. Kjo kërkesë e tij është hedhur në votim dhe me votat e shumicës, është refuzuar.
Kërkesa për shkarkimin e Presidentit Meta është lexuar nga deputeti Taulant Balla, i cili edhe një herë theksoi se “është shkelur e drejta e sovranit për të votuar dhe se Presidenti ia ka hequr këtë të drejtë sovranit”. Dekreti sipas Taulant Ballës cenon rendin kushtetues dhe Presidenti ka marrë tagrin e sovranit. Në të tilla kushte, sipas deputeti të PS, nuk ka rrugë tjetër veçse shkarkimi i Presidentit. Ndërkohë në Komision ka pasur edhe debate mes deputetit Balla dhe Gjoni. Ky i fundit e pyeti deputeti socialist se “përse merret me këtë korridor kushtetues dhe se në të shkuarën ka pasur precedentë të tillë dhe fare mirë dekreti mund të shkojë në Gjykatën Administrative”.
Madje zoti Gjoni ka përdorur ironi duke cituar Presidentin e Republikës, duke thënë se “kjo kërkesë mund të shkojë në Gjykatën e Skraparit”, që në fakt nuk ekziston.
Deputeti Balla iu përgjigj se nuk mund të ketë ndryshim date pa konsensusin paraprak të partive. Sipas tij e gjitha kjo është një luftë e opozitës që po destabilizon vendin dhe Presidenti mori një qëndrim politik në krah të opozitës.
Top Channel