Edhe pse e kishte paralajmëruar vetë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev është zbrapsur nga deklaratat për zgjedhje të parakohshme në vend.

Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë së tij Social-demokrate, në Ohër, Zaev e bëri të qartë se është vendosur që të ketë vetëm riformatim të qeverisë, pasi sipas tij, zgjedhjet mund të rikthejnë nacionalizmin e radikalizmin në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk do të lejojmë që shoqëria të ndahet sërish dhe të konfrontohet me të gjitha shtetet fqinjët. Ne ia kemi arritur qëllimit, deri në fund të vitit besojmë se do të marrim datën e çeljes se negociatave, prandaj do të shkojmë vetëm në riformatimin e qeverisë, jo më shumë se të tetë ministrive”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar edhe shkarkimin e më shumë se 20 drejtorëve të institucioneve publike.

Opozita ndërkohë, në një tubim partiak ka drejtuar akuza të shumta në adresë të qeverisë duke e akuzuar për paaftësi dhe tradhti të interesave kombëtare. Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së paralajmëroi fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e reja, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato.

Vendimi i LSDM-së për të mos u mbajtur zgjedhjet besohet të jetë ndikuar edhe nga mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët një lëvizje të tillë të mundshme e kishin cilësuar si të gabuar, me arsyetimin se në vend të zgjedhjeve, Maqedonia e Veritut duhet të përqendrohet në sferën e reformave që të mund të marrë datën në vjeshtë të këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA