Veliaj: Së shpejti nis puna për Bulevardin ‘Zogu i Parë’

17/06/2019 14:18

E gjithë lagjja e rrugës së “Barikadave”, “Abdulla Gjikali” dhe “Isa Bioletini” në Njësinë 9 është transformuar plotësisht, me trotuare më të mira, më shumë ndriçim dhe hapësira rekreative për banorët. Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetet e PS, Ogerta Manastirliu dhe Blerina Gjylameti, inspektuan punimet e kryera në këto lagje, ndërsa u takuan dhe biseduan me banorët.

Veliaj tha se investimet kanë sjellë jo vetëm një infrastrukturë më të mirë për banorët, por edhe kanë rritur vlerën e pronës në këto zona.

“Na ka ecur puna shumë mirë. Ka pasur ngarkesë, nuk është mentalitet i lehtë, por e di çfarë? Kur njerëzit shohin që punohet, thonë se duke punuar, fiton edhe besim. Në lagje këtu i kemi bërë të gjitha ndërhyrjet, edhe rruga nuk ka dalë keq”, tha Veliaj.

Banorët shprehën vlerësimin e tyre për punët e bëra në Tiranë dhe ato që kanë prekur direkt lagjet e tyre në këtë njësi. “Kjo është një zonë e bërë komplet, ka sjell shumë qetësi, se janë lagje të vjetra tironse. Nuk ishte ndërhyrë më parë, edhe pse tironsit janë shumë të butë, nuk janë agresivë, dhe nuk i kërkojnë gjërat me zor. Bravo ju qoftë, se keni bërë punë shumë të mirë”, tha një nga banoret e Njësisë 9.

Një tjetër banore falenderoi kryebashkiakun Veliaj për trasformimin që ka sjellë në Tiranë, duke veçuar Parkun e Liqenit Artificial. “Jemi shumë të kënaqur me ndryshimin që është bërë në Tiranë, ai liqeni është bërë fantastik”, tha ajo.

Një i moshuar falenderoi për vëmendjen e treguar për moshën e tretë, si dhe shtoi se puna e bërë është fushata më e mirë për të fituar zgjedhjet. “Unë po të uroj sepse i ke të fituar me kohë, me punën tënde, me devotshmërinë, me ndjenjën e lartë të patriotizmit, që na ka kënaqur edhe ne të vjetrit, të moshuarit. Të urojmë shëndet në familje e gëzime dhe suksese në detyrën që ke”, tha i moshuari.

Veliaj theksoi se Njësia 9 do të preket edhe nga disa projekte të tjera të mëdha, përfshi këtu edhe ndërhyrjen në Bulevardin Zogu i Parë. “Tani do fillojmë bulevardin e “Zogu i Parë”, do rregullohen edhe të gjithë fasadat”, tha Veliaj. Ai sqaroi edhe disa nga projektet e tjera madhore të Bashkisë së Tiranës, ku përfshiu edhe Unazën e Madhe.

“Tani po punojmë te blloku i “Casa Italia”-s, kemi edhe rrethrrotullimin te “Shqiponja”. Do bëhet edhe rruga te Astiri. Ti u thua po të shpronësoj, po të jap një banesë sociale, kurse ata thonë për ideal të partisë do rri këtu. Atyre ju ka dalë llotaria, po bëjnë shtëpi, janë bërë 10 familje bashkë dhe po bëjnë pallate ngjitur me Unazën e Madhe të Tiranës, që është rruga më e shtrenjtë. Pra, u ka rënë bingo, nuk janë për hall. Atyre është për t’u thënë, vazhdo te partia, por rruga do të bëhet. Kështu shpëton “Casa Italia”, Dogana dhe gjithë rrethrrotullimi ‘Shqiponja’”, shtoi Veliaj.

Top Channel