Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta në lidhje me numrin aktual të mandateve të deputetëve të Republikës së Shqipërisë.
Kjo përgjigje vjen vetëm tre ditë pasi Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, zonja Ornela Zonja i pati dërguar një letër me dy pyetje KQZ-s, ku kërkonte të dinte se cili ishte numri aktual i mandateve të deputetëve në Kuvend në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktual në Parlament. Në përgjigjen zyrtare të KQZ, thuhet se Kuvendi ka 122 deputetë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas shpalljes se rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, si pasojë e njoftimeve nga Kuvendi i Shqipërisë për përfundimin e parakohshëm të mandateve të deputeteve, ka plotësuar 23 vakanca nga listat shumë emërore të Partisë Demokratike, 17 vakanca nga lista shumëemerore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, 6 vakanca nga listat shumëemërore të Partisë Socialiste dhe 2 (dy) vakanca nga lista shumëemerore e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet. Nga plotësimi i vakancave të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë, aktualisht kanë shteruar listat shumëemërore të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike”, thuhet në shkresën zyrtare që KQZ i ka dërguar Presidentit.
Top Channel