Nga takimi me banorët e Zall-Bastarit, ku prezantoi disa nga projektet dhe nismat që do t’i vijnë në ndihmë fshatit në mandatin e dytë, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë se qëllimi i vërtetë i opozitës është të mbajë peng Shqipërinë për interesat personale të drejtuesve të saj.
Ai tha se drejtuesit e opozitës po përdorin fëmijët e qytetarëve të thjeshtë për të goditur institucionet dhe policinë, ndërkohë që fëmijët e tyre i kanë jashtë shtetit, duke krijuar kështu dy kasta fëmijësh: një që përdoret si mish për top në protesta dhe një tjetër që jeton jashtë shtetit.
“I keni parë kur marrin disa fëmijë të vegjël, se tani nuk i shkojnë më të rritur, dhe hedhin molotov. Këta që bëjnë deklarata se si kryetari i bashkisë ka dalë në foto me një fëmijë në një kopesht, e para e punës të gjitha me lejen nga prindërit, e dyta po shkojmë për një gjë të mirë, pra po shkojmë të shohim a po kënaqen këta fëmijë në kopsht, në kënde lodrash, kurse këta fëmijët i marrin, i veshin me kapuç që të gjuajnë policinë. Pyetja është: kalamajtë e kujt janë këta? Pse nuk nxjerr Luli kalamajtë e vet, pse nuk nxjerr dhëndri kalamajtë e vet, pse nuk i nxjerr kunati kalamajtë e vet të gjuajnë ashtu, pse nuk nxjerr Saliu nipat dhe mbesat e vet, pse nuk nxjerr Monika kalamajtë e vet, pse nuk nxjerr Voltana kalamajt e vet? E di pse? Se ata besojnë që në Shqipëri janë dy kasta: një kastë është kasta e tyre që kalamajtë të shkojnë jashtë, të marrin pasaporta jashtë dhe Shqipërinë ta kenë vetëm si një bankomat për të çuar paratë jashtë. Ndërkohë ka edhe një kastë tjetër, sipas tyre, që janë mish për top, veja përpara policisë, mbushja xhepat me molotov, mbushja duart me fishekzjarrë. Unë besoj që ka vetëm një Shqipëri dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë meritojnë të kenë të njëjtin respekt, të kenë të njëjtin dinjitet dhe nëse PD-ja dhe LSI-ja nuk nxjerrin kalamajtë e tyre, atëherë nuk mund të nxjerrin kalamajtë e shqiptarëve. Po të besonin realisht që Shqipëria i ka ato probleme do të nxirrnin në radhë të parë fëmijët e tyre”, tha Veliaj.
Ndaj, u shpreh ai, opozita tregohet hipokrite kur deklaron se gjithë këtë betejë po e bën për të ardhmen e fëmijëve të Shqipërisë. Për këtë arsye kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se të gjithë shqiptarët duhet të dalin në zgjedhje në 30 qershor për t’u ndarë një herë e mirë nga politikanët e të shkuarës që e kanë mbajtur peng vendin dhe të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Të thuash këtë e bëjmë për fëmijët tanë, dhe fëmijët e tu janë jashtë, me pasaporta të huaja, ndërkohë që ti nxjerr fëmijët e fukarenjve, të atyre militantëve të verbër që e çojnë edhe fëmijën e tyre mish për top. Ndaj kemi dy mundësi: ose ne bëjmë një pazar me ta për 30 vitet që ikën, ose ne bëjmë një pakt, një besëlidhje me njëri-tjetrin për 30 vitet që vijnë. Ose qajmë hallet e familjeve të tyre që i kanë zgjidhur, ose fillojmë dhe shohim hallet tona dhe merremi me zgjidhjen e tyre”, deklaroi Veliaj.
Top Channel