Stadiumi “Arena Kombëtare” ka kaluar mbi 90% të procesit të punimeve të tij dhe brenda muajit shtator do të jetë mbyllur gjithçka e do të jetë gati për një ndeshje testi përpara takimit zyrtar që do të luajë përfaqësuesja kuqezi. Por përvec stadiumit, me sa duket mbyllja përfundimtare e punimeve ka një tjetër ngërç.
“Stadiumi është gati në 90% dhe në shtator do të jemi në 100% të mbaruar. Kjo është e lidhur edhe me sheshin përballë stadiumit, i cili po realizohet nga bashkia e Tiranës. Sipas ritmeve që po shohim, nuk kanë filluar ende punimet. Kam frikë se ndoshta stadiumi do të përfundojë, ndërkohë që sheshi të mos përfundojë dhe të na bëhet pengesë neve për të realizuar një ndeshje për muajin shtator”, thotë Arben Dervishaj, shef i Sektorit të Investimeve dhe Infrastrukturës në FSHF.
Ndërkohë Dervishaj, në cilësinë edhe të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv tregon se në projektet e sektorit të investimeve për infrastrukturën në FSHF janë edhe dy stadiume të rinj që do të ndërtohen.
“Brenda mandatit 4 vjeçar të përfundojmë dy stadiume. Njëri nga këta është “Zeqir Ymeri” në Kukës, ndërkohë që presidenti bashkë me kryetarin e bashkisë së Fierit janë ulur dhe kanë diskutuar për të bërë stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, pra një stadium të ri, i cili mund të ndërtohet mbi gjurmët e stadiumit ekzistues”, thotë Dervishaj.
Top Channel