Deputeti Ralf Gjoni, pjesë e Grupit të Pavarur Parlamentar, ka reaguar pas njoftimit të Partisë Socialiste se do të kërkojë shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.
Gjoni deklaron se deputetët e Kuvendit nuk kanë ende asnjë akt parlamentar për shkarkimin e Presidentit, gjithsesi, vota e tij do kushtëzohet me ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Ai sheh si të vetmen mundësi për zgjidhjen e krizës politike ndryshimin radikal të sistemit zgjedhor, hapjen e listave dhe një ligj të ri të partitë politike në Shqipëri.
”Kriza aktuale politike po kthehet në një situatë tragji-komike e cila na imponon gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvend. Papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat tona kombëtare dhe po shkatërron të ardhmen tonë. Ndaj dhe angazhimi im parlamentar dhe vota ime në Kuvend do të udhëhiqen para së gjithash nga ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe ligji për partitë politike, si strumbullarë të gjithçkaje të mbrapshtë në këtë vend. Ndaj dhe vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale te vitit 2008”, shprehet Gjoni.
Ralf Gjoni hyri në Kuvend si pjesë e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, pas vendimit të kësaj partie për të djegur mandatet e deputetëve.
Sa i përket vendimit për të kërkuar shkarkimin e Metës, mazhorancës do i duhen 93 vota në Kuvend, ndërkohë që grupi Parlamentar i PS nuk i ka votat e nevojshme. Socialistëve do u duhet të kërkojnë nga deputetët e opozitës parlamentare që të bashkojnë votat për shkarkimin e Metës, pas vendit të kreut të shtetit për anuluar 30 qershorin si datë për organizimin e zgjedhjeve lokale.
Top Channel