Kreu i PDS, Paskal Milo thotë se situata aktuale tregon mjerimin e politikës shqiptare dhe fillimin e rënies së shtetit. Ai deklaroi në emisionin ‘Open’ në Top Channel se, nëse kjo situatë do të vazhdojë me këtë ritëm, do vihen në pikëpyetje balancat sociale dhe qëndrueshmëria e shtetit.
“Ajo që po ndodh në Shqipëri është mjerimi i politikës shqiptare dhe fillimi i rënies së shtetit, që në qoftë se do të vazhdojë me këtë ritëm që ka filluar, ne do të ndodhemi përpara situatave që do të vënë në pikëpyetje balancat sociale dhe qëndrueshmërinë e shtetit. Në emër të këtij rreziku që nuk është eufori politike, në sensin negativ, por që është një shqetësim që do ta kemi në ditët në vijim edhe më prezent, unë i bëj thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit, të ulin kryet dhe të ulen në tavolinë, e gjithsecili ka se çfarë të lëshojë për t’i dhënë këtij vendi mundësi për të marrë frymë dhe të merren vendime të mençura dhe jo në inat e sipër”, tha Milo.
Sipas Milos, palët politike duhet të ulen në dialog pasi çdo përpjekje për të vazhduar retorikën luftënxitëse mund të parapërgatisë terrenin për një shpërthim social të pakontrolluar.
“Për mua topi është në fushën e Qeverisë dhe të opozitës sepse janë ata dy aktorët e mëdhenj që duhet të ulen. Çdo përpjekje për të vazhduar këtë retorikë luftënxitëse, inatçore, nuk bën gjë tjetër veçse dëmton Shqipërinë dhe mbi të gjitha mund të parapërgatisë terrenin për një shpërthim social të pakontrolluar. Kjo është shumë e rrezikshme. Përpara se të disktuojmë nëse do të shkojmë apo jo në zgjedhjet e 30 qershorit, ne duhet të mendojmë se çfarë do të bëhet me këtë Shqipëri nëse vazhdojmë me të njëjtën logjikë”, u shpreh Milo.
Paskal Milo theksoi gjithashtu se nuk beson se mazhoranca do të arrijë të shkarkojë Ilir Metën nga posti i presidentit, por diskutimin po e bën për konsum të brendshëm.
Top Channel