“Nata e Mbretërve” quhej ndeshja e bamirësisë që kishin organizuar ish-kapiteni i Romës, Francesko Totti, sëbashku me yllin portugez Luis Figo.
Një mbrëmje që mblidhte 32 ish-futbollistë të ndarë në dy skuadra dhe që paratë e grumbulluara nga sponsorët dhe biletat do të shkonin për spitalin e fëmijëve të Romës, “Bambini Gesu”.
Një kauzë për të cilën kontribuoi edhe piktori shqiptar, i cili jeton në Itali, Agron Hoti. Ai kishte krijuar një pikturë gjigande me përmasat e fushës së minifutbollit, e cila u firmos nga yjet e asaj mbrëmjeje.
“Ky është një aktivitet shumë i bukur sepse bëhet fjalë për bamirësi dhe jemi të gjithë këtu për të ndihmuar në këtë kauzë dhe për të kontribuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo pikturë është vërtetë spektakolare, mua që më pëlqen arti, pata mundësinë ta njihja përpara edhe piktorin tuaj dhe ta falenderoj për këtë punë që ka bërë. Jam i befasuar nga kjo punë e bërë. Sa i përket ndeshjes nëse do të vesh ndonjë bast për skuadrën time, mund të fitosh ndonjë gjë” tha për mikrofonin e Top Channel, Luis Figo.
Në fund të mbrëmjes piktura e Hotit u nda në disa pjesë, e cila kaloi në ankandin e shtëpisë më të famshme në botë, britanikes Christies.
Në total piktura kaloi vlerën e shitjes prej 1 mln euro dhe kjo ishte diçka shumë pozitive për kauzën që kish mbledhur të gjithë yjet e asaj mbrëmje në qendrën sportive “Foro Italico” të Romës.
Top Channel