Gjetan Gjetani deputeti i parë kundër shkarkimit të Metës: Dekreti është veprim për bashkimin e shqiptarëve

10/06/2019 16:55

Deputeti i majtë, Gjetan Gjetani i ka bërë thirrje kolegëve në Partinë Socialiste që të mos ndjekin kryeministrin Edi Rama në rrugën, sipas tij, të shkatërrimit dhe të përçarjes së Shqipërisë.

I përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PS-së në shtator të 2018-ës, Gjetani e konsideron dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, një veprim për bashkimin e shqiptarëve dhe jo për ndarjen e tyre.

”I bëj thirrje kolegëve të mi socialistë që të mos ndjekin Edi Ramën në rrugën e tij për shkatërrimin e përçarjen e Shqipërisë. Dihet që Edi Rama është armiku i zgjedhjeve të lira e të ndershme prandaj nuk lejoi zgjedhje edhe në PS.

Dekreti i presidentit është një veprim për bashkimin e shqiptarëve dhe jo ndarjen e tyre, për zgjedhje të lira dhe jo për zgjedhje të kapura nga krimi, për integrimin dhe jo për izolimin e shqiptarëve.

Prandaj të bashkohemi te vlerat e vërteta dhe ta lëmë vetem Edi Ramën në çmendurinë e tij për para e për pushtet dhe në greminën ku ai do të fusë vendin dhe socialistët e ndershëm.

Sot është koha që të zgjedhim të mirën për vendin dhe familjet tona dhe të largohemi nga e keqja që përfaqeson Edi Rama, i cili mendon vetëm për xhepin dhe pushtetin e vet dhe të krimineleve rreth tij”, shkruan deputeti Gjetani.

Gjetan Gjetani është aktualisht deputet i pavarur në Parlament. Ai u përjashtua vjet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për shkak të kritikave ndaj drejtuesve të Policisë së Kurbinit. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama i konsideroi deklaratat e Gjetanit si presion ndaj punonjësve të policisë.

Mazhorancës i duhen 93 vota në Parlament për të çuar përpara vendimin për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA