Dekreti i Metës/ Kristaq Kume ‘rrëzon’ vendimin e 2017-ës të Kolegjit: Jemi në situatë tjetër

10/06/2019 22:47

Konstitucionalisti Kristaq Kume thotë se nuk mund të përdoret precedenti i vitit 2017-të i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohej se ishte Gjykata Administrative që kishte kompetencat për të trajtuar dekretin e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Duke folur në emisionin ‘Open’ në Top Channel, Kume theksoi se dekreti i presidentit Ilir Meta është totalisht i ndryshëm nga dekreti i paraardhësit Bujar Nishani kur vendosi shtyrjen me një javë të zgjedhjeve parlamentare në 2017-ën.

“Është vetëm Gjykata Kushtetuese që mund të vendosë për kushtetueshmërinë e këtij dekreti të presidentit Meta. Gjykata Kushtetuese nuk ka prodhuar precedent në trajtimin e kësaj çështjeje.

Nuk jemi të njëjtat situata. Dekreti i sotëm i presidentit nuk është objekt që ka për qëllim vetëm caktimin e një date zgjedhjeje, por është një dekret që shfuqizon një dekret të mëparshëm dhe si rezultat ndalon një proces të nisur. Ndryshimi është shumë i madh nga ai i 2017-ës për ta konsideruar edhe këtë dekret si veprim administrativ”, u shpreh Kume.

Sipas vendimit të datës 16 qershor 2017-të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, akti i presidentit për të shfuqizuar 18 qershorin si datë për zgjedhjet parlamentare nuk hyn në juridiksionin Gjykatës Kushtetuese, por është pjesë e juridiksionit të gjykatave administrative.

Top Channel