Emiratet e Bashkuara Arabe i thanë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se, ka shumë gjasa që një “aktor shtetëror” të ketë sulmuar 4 çisternat në brigjet e tyre.
Sulmet e 12 majit mbanin shenja dalluese të një “operacioni të sofistikuar dhe të koordinuar”, shkruanin përfaqësues të EBA-së në raportin e tyre.
Megjithatë, ato nuk specifikuan se kush qëndron prapa sulmeve, që po ashtu goditën anije të Arabisë Saudite dhe Norvegjisë.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin, duke thënë se ky i fundit ka sulmuar çisternat e naftës në përpjekje për të nxitur rritjen e çmimeve globale të saj.
Teherani e ka mohuar përfshirjen në sulme dhe ka bërë thirrje për hetime. Sulmet kanë ndodhur në ujërat territoriale të Emirateve të Bashkuara Arabe, jashtë ngushticës së Hormuzit.
Anijet janë dëmtuar nga – siç është thënë, – një “akt sabotazhi”, por nuk është raportuar për të plagosur.
Top Channel