Miradije Maloku, prej 30 vitesh është mësuese e arsimit fillor, por së fundi është duke u përballur me një sfidë ndryshe. Në mesin e 31 nxënësve të klasës së parë, 3 prej tyre janë me çrregullimin e hiperaktivitetit.
Ajo rrëfen se menaxhimin e klasës mundohet ta bëjë e vetme, në mungesë të asistentëve.
“Ka ditë që është shumë normal, ka ditë që është më i miri prej të gjithëve, mirëpo ka momente që rebelohet shumë, rebelim që reflektohet me dhunë. Dhuna shkaktohet te moshatarët e tjerë. Njëri prej këtyre fëmijëve ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe kur sulmon, nuk sulmon si të gjithë fëmijët e tjerë”, thotë mësuesja Miradije Maloku.
Mësuesja tregon se numri i madh i tyre brenda një klase po ndikon edhe në rezultatet e fëmijëve të tjerë.
“Një pjesë të madhe të orës duhet t’i përkushtohem këtyre fëmijëve, një pjesë të vogël i përkushtohem të tjerëve. Kështu që ka sjellë pengesa të mëdha për sukses, nuk po mundem të ndjek të njëjtin hap me programin e planifikuar”, shpjegon më tej Miradije Maloku.
Përkundër realitetit, udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit parashikon që në mesin 25 nxënësve, një prej tyre të jetë me nevoja të veçanta dhe mësuesja të ketë patjetër asistentë.
Nga mbi 6.000 fëmijë me nevoja të veçanta, sa janë në shkollat publike në Kosovë, vetëm 89 kanë asistentë. Por, Ministria kishte kërkuar zbatimin e udhëzimit për kalimin e fëmijëve në klasa normale, ende pa pasur buxhet për asistentë.
“Nuk është i mjaftueshëm, ndaj dhe Ministria do të vazhdojë me punësimin e tyre, sepse nëse flasim për 6.000 nxënës, kjo nënkupton që një numër i madh i tyre ka nevojë për asistentë. Por, krahas asistencës, ne jemi duke bërë edhe punësimin e mësuesve mbështetës. Në kuadër të shkollave të rregullta duhet të ketë asistentë personalë për fëmijë, por duhet të ketë edhe mësues mbështetës”, tha Lulevere Behluli, udhëheqëse e Divizionit për Arsimin gjithëpërfshirës.
Top Channel