Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në Portugali nis faza “Final Four” e edicionit të parë të Ligës së Kombeve, nga ku do të dalë edhe skuadra kampione.
Sfida që do të hapë këtë fazë është ajo mes Portugalisë dhe Zvicrës. Skuadra kampione e Europës do të ketë në radhët e saj Cristiano Ronaldon, që është kthyer pas një mungese të veshë fanellën e përfaqësueses.
Ky rikthim në kombëtare për sulmuesin e Juventusit, që kërkon trofeun e dytë me Portugalinë, bëhet edhe më i gëzueshem pas lajmit se për të janë tërhequr akuzat për përdhunim nga Kathryn Mayorga, që nëse konfirmohet do të mbyllë përfundimisht një histori që e ka shqetësuar sulmuesin, e që mund të jetë përfundimisht i qetë në përgatitjet e tij.
Por, skuadra portugeze nuk ka vetëm Cristiano Ronaldon. Në radhët e saj janë edhe futbollistë si Bernardo Silva e Joao Felix, që kanë spikatur me formën dhe talentin e tyre. Sa i përket sfidës, mungesa e vetme e skuadrës së drejtuar nga Fernando Santos është ajo e Danilos, i skualifikuar.
Ndërsa Zvicra e shqiptarëve vjen në këtë ndeshje me një kampion Europe në radhët e saj, Xherdan Shaqirin fitues të Champions League me Liverpoolin, ndërkohë që Granit Xhaka luajti finalen e Europa League me Chelsean.
Skuadra helvete mund të mos e ketë forcën e skuadrës portugeze, por ajo ka treguar se është në gjendje që të bëjë surpriza, siç është edhe kualifikimi në “Final Four” të “Nations League”.
Kjo e sotmja do të jetë përballja e 23-të mes Portugalisë e Zvicrës, me këtë të fundit që është në avantazh me 10 fitore kundrejt 7 të luzitanëve, ndërkohë që 5 sfida janë mbyllur në barazim.
Top Channel