Gianni Infantino konfirmohet si president i Konfederatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), pas votimit unanim që u bë gjatë Kongresit të 69 të këtij institucioni të mbajtur në Paris.
Infantino, që për herë të parë e mori drejtimin e qeverisë së futbollit ndërkombëtar në vitin 2016, pas largimit të Sepp Blatter, ishte kandidatura e vetme në këto zgjedhje, duke fituar kështu një mandat të dytë 4-vjeçar, deri në vitin 2023.
Në fjalën e tij përpara votimit, Gianni Infantino theksoi se FIFA është kthyer në një institucion të besueshëm. Ai shtoi se, tashmë askush nuk flet për krizën, për rindërtimin e FIFA-s, skandalet, korrupsionin, por vetëm për futbollin.
Në të njëjtën kohë, Infantino konfirmoi se Botërori i vitit 2026 do të jetë një turne me 48 skuadra. Ndërkohë, FIFA bëri edhe bilancin e saj për vitin 2018, duke bërë të ditur se siguroi të ardhura prej 6.4 miliardë dollarësh, 85% e të cilave janë investuar për futbollin.
Top Channel