Hetimet për mashtrimin me ilacin soludaminë kanë ngecur edhe pse ekzistojnë të gjitha faktet dhe provat se kompania CFO Farma ka mashtruar në treg duke shitur një ilaç 18 herë më shtrenjtë, por edhe ka faksifikuar dokumentet shtetërore.

Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit realizoi shumë shpejt një verifikim paraprak duke marrë në pyetje edhe drejtuesit e kompanisë CFO Farma, por edhe farmacistët e duke konfirmuar ligjërisht gjetjet që Top Channel realizoi me investigimin e pak ditëve më parë.

Sipas gjetjeve të gazetarëve të Top Channel në farmaci, ilaçi soludaminë nga 74 lekë që duhet të shitej, i jepej të sëmurëve me veshka dhe atyre që bëjnë hemodializë me 1 300 lekë. Sektori i policisë kundër krimit ekonomik gjetën po ashtu në disa farmaci ilaçin që për më tepër mban edhe etiteka të falsifikuara. Policia mori në pyetje edhe administratorin e CFO Farma, Nadir Çausholli, i cili mashtrimin në dëm të shumë pacientëve e shpjegoi me një gabim njerëzor në vendosjen e etiketave, por kjo alibi bie për shkak se farmacistët i treguan policisë faturat e blerjes së këtij ilaçi, fatura që tregojnë mashtrimin.

Ndërkohë, paralelisht ka nisur një verifikim me kërkesë të prokurorisë edhe nga qendra kombëtare e kontrollit të barnave e cila edhe pse i ka të gjitha faktet, ende nuk ka nisur në prokurori raportin me gjetjet për etiketën false, për barkodin e ilaçit dhe çmimin e jashtëligjshëm.

Ky raport është shumë i nevojshëm për prokurorin Kreshnik Ajazi, i cili është duke udhëhequr hetimin ndaj këtij megamashtrimi që mban firmën e administratorit të CFO Farma, Nadir Çausholli.

 

Top Channel