Me dhjetëra fëmijë në Gjirokastër e Libohovë janë bërë pjesë e grupeve të vogla polifonike të shkollave.
Roland Çenko një prej krijuesve më të rëndësishëm të këngëve, grumbullues e interpretues i tyre thotë se tradita është duke u rizgjuar, por me vështirësi pasi polifonia nuk po mbrohet si një trashëgimi dhe vlerë publike.
Atij i duhet që vetë të kërkojë pasardhësit e familjeve që kanë qenë dikur të lidhura me polifoninë dhe thotë se ka gjetur mjaft zëra në zonën e Libohovës. Studiuesi është duke i nxitur shkollat të kenë pjesë të aktiviteteve polifoninë.
Kënga polifonike katër-zërëshe e qytetit të Gjirokastrës njihet zyrtarisht si një prej modeleve më të përsosura të isopolifonisë në vend. “Qyteti që hezitoi për shekuj me radhë të pranojë sazet si pjesë të këngës qytetare ka arritur me fanatizëm ta mbrojë polifoninë katër-zërëshe”, thotë Roland Çenko, bartës e përcjellës i saj prej 40 vitesh.
Shkolla e mesme e Libohovës është duke e mbështetur iniciativën për të shtuar numrin e nxënësve që bartin trashëgiminë folklorike.
Polifonia e Gjirokastrës dhe Libohovës e njohur ndryshe edhe si “këngë pleqërishte” ku evidentohen qartë marrësi, hedhësi, prerësi dhe isoja konfirmon sipas muzikologëve një formë shumë të vjetër të të kënduarit.
Polifonia shqiptare u njoh prej UNESCO-s në vitin 2005 si kryevepër e trashëgimisë gojore botërore.
Top Channel