Tifozi i Liverpoolit pushton mediet botërore: Nga Liverpooli në Madrid, jo për 800 stërlina

31/05/2019 13:19

Pas eksodit të tifozëve londinezë të Arsenalit dhe Chelseat drejt Bakusë, shoqëruar me vështirësi logjistike të një finaleje të organizuar në anën tjetër të kontinentit të Europës, këtë herë u takon tifozëve anglezë të Liverpoolit dhe Tottenhamit të përballen me vështirësi të ngjashme.

Me mendjen në Madrid, destinacionin ku linjat e drejtpërdrejta nuk mungojnë si në Azerbajxhan dhe as sistemimi, tifozët britanikë përballen me një problem të zakonshëm përpara një finaleje të Champions League: kostot e ekzagjeruara dhe penalizuese.

Një fluturim nga Anglia drejt Spanjës, që në kushte normale do të kushtonte vetëm 20 euro me cilëndo kompani ajrore “low-cost”, tashmë ka kapur shifrat e mbi 800 stërlinave. Çmenduri po ta mendosh, por ka nga ata që kanë gjetur një zgjidhje. Një prej tyre ka menduar se të shkosh në “Wanda Metropolitano”, ku luan ndeshjet Atletico Madrid, është më ekonomike blerja e një makine dhe vajtja në kryeqytetin spanjoll me mjetin me 4 rrota.

Simon Wilson, një personazh disi i famshëm në Angli për shkak të videove që publikon në Youtube, bëri disa përllogaritje dhe arriti në konkluzion. Nëse paguante tarifat, benzinën, ushqimin e madje edhe mjetin që do ta blinte enkas për këtë rast, udhëtimi do të kushtonte gjithsesi më pak sesa një fluturim me avion.

Pikërisht historinë e tij ka publikuar “Liverpool Echo”. Ai u nis me një Skoda të përdorur, të blerë për vetëm 40 stërlina, për të mbështetur “The Reds” në Madrid.

“Isha me fat, pata mundësinë të siguroja një biletë mes të abonuarve, por nuk doja të prenotoja asokohe një fluturim të drejtpërdrejtë”, thotë ai. Një ide e keqe në fakt, pasi sapo skuadra e Kloppit siguroi finalen, çmimet u rritën sa hap e mbyll sytë. “Kur bëra një kontroll, fluturimet kishin shkuar në rreth 800 stërlina”.

Por siç thuhet në disa raste, pikërisht mes vështirësive vijnë edhe idetë gjeniale.

“I telefonova vëllait dhe i thashë të më gjente makinën më ekonomike të mundshme për ta blerë menjëherë”, rrëfen ai. Mjaftoi pra një telefonatë dhe 40 stërlina nga xhepi i tij, që makina t’i mbërrinte te dera e shtëpisë. Udhëtimi nisi pa hezitim dhe Wilson ka zgjedhur të publikojë edhe disa ekstrakte videosh gjatë kësaj kohe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA