Autoritetet në Kosovë e dënuan njëzëri gjuhën e përdorur nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, e disa prej tyre shprehën pakënaqësi për mosreagimin e zyrtarëve europianë ndaj saj.
Një ditë më parë, Brnabiç tha gjatë një takimi me shefin e delegacionit të BE-së, Sem Fabrizi, se është e shqetësuar nga situata në Kosovë “meqë kemi të bëjmë me njerëz nga mali”.
Ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli reagoi duke i cilësuar komentet të pështira dhe të papranueshme. Ai foli përmes rrjeteve sociale për një racizëm të institucionalizuar në Serbi, i cili e ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë, të cilën sipas tij e promovon qeveria e Brnabiç.
Zv.kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj shprehu zhgënjimin e tij që nuk pati një reagim nga Brukseli, në një kohë kur pretendentja e tij në procesin e zgjerimit përdor një gjuhë të tillë ndaj Kosovës.
Disa figura të tjera i kanë ironizuar fjalët e Brnabiç. Ish-presidentja Atifete Jahjaga u përgjigj duke postuar dy fotografi nga rajone mjaft të bukura malore të Kosovës dhe në krah të tyre shkruante: Ne mburremi me malet tona.
Të njëjtën gjë bëri edhe diplomatja Vlora Çitaku. “Në fakt sapo erdha nga malet”, ishte mesazhi i saj në Facebook. Ministria e Jashtme kosovare njoftoi se Brnabiçit nuk do t’i lejohet asnjëherë hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave raciste dhe ofenduese.
Top Channel