Holanda dorëzoi sot zyrtarisht në Komisionin Europian draft rezolutën e miratuar pak kohë më parë në parlament, përmes të cilët kërkohet rikthimi i regjimit të vizave për shqiptarët. Në letrën drejtuar komisionerit të emigracionit dhe punëve te jashtme, Dimitris Avramopulos, pretendohet me shkrim që Komisioni Europian të marrë në konsideratë pezullimin e vizave për shtetasit shqiptarë.
Ne mesin e muajit prill, Parlamenti holandez votoi pro ne favor te ketij propozimi dhe argumenti I dhene per nje levizje te tille, ishte kriminaliteti i shtuar shqiptar në këtë vend.
Ishte pikërisht ai votim që i hapi rrugën qeverisë holandeze t’i drejtohej Brukselit, pasi fjalën e fundit për këtë kërkesë në rikthimin e vizave e ka Bashkimi Europian. Ishin 5 parti politike në Holandë që kërkuan votim në Parlament për rikthimin e vizave për Shqipërinë, ndërsa ministri i Jashtëm Stef Blok këmbëngulte përpara ligjvënësve se ashpërsimi regjimit të vizave është i pavend dhe se do të komplikonte marrëdhëniet me vendin tonë.
Top Channel i kërkoi një reagim ambasadës së Mbretërisë së Holandës pas letrës që qeveria holandeze i nisi Komisionit Europian për rikthimin e vizave shtetasve shqiptarë. Në reagimin e saj, ajo shpjegon se me këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.
Më tej ambasada holandeze sqaron se tashmë i takon Komisionit Europian që të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim, e të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.
Gjithashtu qartësohet edhe se deri në një vendim të dytë, politika e vizave për shtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Reagimi i plotë i ambasadës holandeze
Parlamenti Hollandez i kërkoi Qeverisë hollandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.
Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Hollandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.
Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.
Hollanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.
Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Top Channel