Shqipëria mori sot një lajm pozitiv sikurse ishte ai për rekomandimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE. Por për Taulant Ballën, i ftuar në “Top Talk”, ky vendim vjen me tre mesazhe.

Balla, i cili mban edhe postin e bashkë-kryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, teksa e vlerësoi si tepër pozitiv rekomandimin e Ke për çeljen e negociatave, theksoi se ky vendim vjen me 3 mesazhe, një për qytetarët, një për qeverinë dhe një për opozitën

“Janë tre mesazhe kryesore, në radhë të parë për shqiptarët që duhet të jenë sot krenarë. Nga vlerësimi i vjetshëm na ishin lënë një sërë detyrash. Duhet them se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në proces negociatash. E dyta një mesazh për qeverinë dhe mazhorancën qeverisëse që duhet të vijojë këtë ritëm reformash. Duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek reforma në drejtësi. Sot të gjithë biem dakord që Komisioni Evropian vlerësoi se ecuria e deritanishme është pozitive. Ka edhe një mesazh të tretë, që është për opozitën. Raporti e thotë në mënyrë strikte duhet të riangazhohet në institucionet demokratike dhe të angazhohet për një konsensus evropian”, tha Balla.

Duke u ndalur tek mesazhi që KE pati për opozitën, Balla thekson: “Raporti vëren me shqetësim vetëvrasjen politike të opozitës me djegien e mandateve”.

Sipas tij, djegia e mandateve nga opozita ishte për të dëmtuar rekomandimin pozitiv që u dha sot nga Komisioni Evropian, por gjithsesi mbeten edhe të paktën 3 javë deri në dhënien e një vendimi final nga vendet e BE.

Më tej Taulant Balla shprehet i bindur se 2019-a do të jetë viti historik i bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE.

“Garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se viti 2019-ë është viti historik i fillimit të bisedimeve mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian”, u shpreh Balla.

Top Channel