Rënia e çmimeve ka trazuar përditshmërinë e kultivuesve të bimës së kafesë në Kolumbi. Në zonat malore në perëndim të këtij vendi prodhohet kafeja më e kërkuar në botë, e megjithatë vendasit janë duke u përballur me humbje të mëdha, e për këtë fajësojnë spekulatorët në bursa që kanë detyruar uljen e çmimit në nivele rekord.
“Po marrim pagesa qesharake, – tha 50-vjeçari Gustavo Echeverry për “AFP”-në. – Është shumë larg asaj që supozohet të garantojë cerfitikimi i tregtisë së lirë të kafesë në mbarë globin, për të siguruar rritjen e saj në kushte barazie, në mënyrë që fermerët të mos shfrytëzohen”.
Disa prej kultivuesve në fshatin Santuario janë detyruar madje të heqin dorë nga kafeja e të rrisin diçka tjetër. Si për t’ua përkeqësuar situatën edhe më shumë, prodhimi i fundit u prek edhe nga kandrat.
Banorë si Ramon Jimenez, familja e të cilit është marrë prej 3 brezash me rritjen e bimës së kafesë, thonë se nëse kriza vazhdon gjatë kështu, do të heqin dorë prej saj e ndoshta do të largohen drejt Shteteve të Bashkuara.
Kolumbia është prodhuesja e tretë më e madhe e kafesë pas Brazilit dhe Vietnamit, megjithatë mbetet numri një në botë për sa i takon cilësisë së kokrrave të saj.
Top Channel