Kombëtarja shqiptare nisi sot grumbullimin zyrtar për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020” ndaj Islandës dhe Moldavisë. Trajneri Edy Reja publikoi listën e të grumbulluarve, ku bin në sy mungesa e Strakoshës, rikthimi i Mavrajt e Cikalleshit dhe thirrja për herë të parë e Kumbullës.
Trajneri italian pranoi se, gjithsesi, për këto dy sfida do të bazohet te grupi aktual i skuadrës.
“Kam një listë me 35 lojtarë, por për këto dy ndeshje kam bërë këtë zgjedhje, duke marrë futbollistë që kanë qenë më parë dhe që e njohin njëri-tjetrin. Për momenti do të bazohemi te këta lojtarë. Objektivin e dimë të gjithë: kualifikimi për në Euro 2020. Në garë janë 5 skuadra, por vetëm dy do të kualifikohen. Përveç Francës, që është një skuadër potente, me ekipet e tjera kemi mundësi për të fituar. Kush vjen këtu duhet të jenë të bindur për arritjen e objektivit dhe në fund do të bëjmë bilancet”, tha Edoardo Reja, trajner i Kombëtares kuqezi.
Javën e kaluar, Reja organizoi një grumbullim paraprak ku kishte përfshirë dhe lojtarë të U21-shit.
“Puna që bëmë javën e kaluar ishte për t’i mbajtur futbollistët në formë. Falënderoj Partizanin për lojtarët që vuri në dispozicion. Pastaj vëzhgova edhe lojtarët e U21-shit që sapo u kthyen. Por, stërvitja e parë e vërtetë është sot. Skuadra ka nevojë për ekuilibër, pasi ka mangësi në këtë aspekt. Shpresoj të jap ndihmën time, por varet nga bashkëpunimi me lojtarët. Nëse lojtarët besojnë tek ajo që propozoj dhe bashkëpunojnë, atëherë jemi në avantazh në krahasim me problemet e së kaluarës”, tha Edoardo Reja.
Edy Reja theksoi gjithashtu se do të kërkojë që të vijojë punën e De Biasit, ndërkohë që për Christian Panuccin theksoi se ishte i pafat. Ai shtoi se do të bëjë menaxhim demokratik të grupit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë kritika ndaj lojtarëve, ndërkohë që e mbylli konferencën për shtyp me një incident.
Rrëzohet trajneri i kombëtares, asgjë për t’u shqetësuar – VIDEO
Lista e të grumbulluarve:
Portierë: Berisha, Hoxha dhe Selmani.
Mbrojtës: Aliji, Hysaj, Ismajli, Ajeti, Kumbulla, Balliu, Veseli, Mihaj, Binaku, Dermaku, Mavraj.
Mesfushorë: Abrashi, Basha, Memushaj, Kaçe, Ndoji, Qose, Xhaka, Ramadani, Lenjani.
Sulmues: Uzuni, Balaj, Cikalleshi, Sadiku, Grezda, Roshi.
Top Channel