Për shumë venezuelas, nafta është një e drejtë që vjen me lindjen në vendin e bekuar me rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në botë.
Pavarësisht hiper-inflacionit, qeveria e Venezuelës nuk e ka prekur asnjëherë çmimin e naftës. Sot, në mesin e krizës ekonomike, mbushja e një rezervuari me naftë në Venezuelë është thuajse falas, por për ta bërë këtë, duhet të pritet në radhë për ditë të tëra.
Gjatë dy javëve të fundit, njerëz nga shumë shtete në Venezuelë, kanë folur për mungesa nafte. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, por krizat e mëparshme vinin për shkak të keq-shpërndarjes dhe mungesës së efikasitetit logjistik.
Këtë radhë, ndërsa qytetarët e gjejnë veten në radhë për ditë të tëra në pikat e karburantit, shumëkush ka filluar të druajë se thjeshtë nuk ka naftë mjaftueshëm për të gjithë. Në 1989 pati përleshje të ashpra në Venezuelë pasi qeveria e atëhershme vendosi t’i jepte fund subvencioneve të naftës, që i kishte mbajtur çmimet nën nivelin e tregut.
Që atëherë, rritja e çmimit të naftës ka qenë thuajse tabu për politikanët në vend. 30 vite më vonë dhe pas krizës së thellë ekonomike nën Maduron, nafta është ende e lirë por prodhimi ka rënë në nivele të paregjistruara që nga 1940.
Në prill 2019, Venezuela prodhonte 830 mijë fuçi në ditë, ndërsa në fillim të vitit shifra ishte 1.2 milionë. Për Maduron, kjo krizë nafte, vjen për faj të korrupsionit të ish-menaxherëve dhe sanksioneve amerikane. Për opozitën, kjo është prova se Maduro nuk është i aftë të drejtojë vendin.
Top Channel