Një separatist katalanas ka fituar zgjedhjet për Bashkinë e Barcelonës, për herë të parë në historinë moderne të Spanjës, gjatë së dielës, e ndjekur nga afër nga kryebashkiakja në largim e së majtës, Ada Colau.

Ish-kryeministri i Francës, Manuel Valls, humbi ndërkohë bastin për t’u bërë kryebashkiak i qytetit bregdetar me dalje në Mesdhe, të rajonit të Katalonjës, duke u renditur vetëm në vendin e katërt me 13 për qind të votave.

Fitues u shpall Ernest Maragall, një politikan veteran nga partia “ERC” e cila kërkon që Katalonja, rajoni verilindor spanjoll i vetëqeverisur nga separatistët, të bëhet e pavarur nga Spanja. Ai mori 10 nga 41 vendet e Këshillit Bashkiak, sikurse edhe Colau.

Por, Maragall e mposhti atë me më pak se 5.000 vota, e për sa kohë grupimet e tjera nuk mblidhen të krijojë një shumicë alternative, ai do të bëhet kryebashkiak i qytetit të dytë më të madh në Spanjë.

Katalonja ishte arena e një përpjekjeje të dështuar për shkëputje nga Spanja në tetor të vitit 2017, kur udhëheqësit separatistë që drejtonin rajonin vijuan me referendumin për pavarësi, pavarësisht ndalimit nga gjykata.

Gjithçka pasoi me një deklaratë të shkurtër pavarësie, përpara se ish-kryeministri spanjoll asokohe të shkarkonte të gjithë ekzekutivin katalanas dhe të thërriste mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme rajonale.

Udhëheqësi i “ERC”-së, Oriol Junqueras, i cili ishte zv.president i Katalonjës asokohe, aktualisht ndodhet në burg në pritje të gjykimit ndaj tij dhe 11 personaliteteve të tjera, për rolin që patën në përpjekjen për shkëputje.

Edhe në Madrid, kryebashkiakja e së majtës, Manuela Carmena pranoi humbjen. Ajo fitoi si kandidate për Bashkinë, por pa pasur mbështetjen e mjaftueshme në këshill për të formuar shumicën, gjë që do të thotë se partitë e djathta kanë të drejtën për të marrë postin e kryebashkiakut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA