Rezultati i zgjedhjeve europiane tregon për analisten Ines Pohl se të ardhmen e qeverisë gjermane e rrethon pasiguria. Partitë pro BE-së morën shumicën e votave, por rënia e SPD-së mund të rrezikojë koalicionin qeverisës në Gjermani, mendon kryeredaktorja e “Deutsche Welle”-s.
Rezultati pozitiv i fundjavës ishte se frika që partitë antieuropiane të krahut të djathtë do të triumfonin dukshëm në këto zgjedhje u fashit dhe në Gjermani, Austri e Holandë, kjo nuk ndodhi. Megjithatë, për socialdemokratët gjermanë e diela ka qenë shkatërrimtare.
Partia më e vjetër demokratike në Gjermani ra nën nivelin europian, duke marrë më pak se 16 për qind të votave. E sikur kjo të mos mjaftonte, në Bremen, landi ku socialdemokratët e kanë mbajtur kryesimin prej 73 vitesh, po të dielën u zhvilluan edhe zgjedhjet lokale, të cilat për herë të parë në histori i fituan kristiandemokratët.
Kjo humbje e dyfishtë nuk do të mbetet pa pasoja, thotë Pohl. Humbja tregoi se partia ndodhet në gjendje të vështirë dhe se riorientimi i përgjithshëm është e vetmja rrugë për vazhdimësinë e saj dhe mundësinë për të pasur një të ardhme.
Rezultati i zgjedhjeve të së dielës e bën shumë të mundshme që pas 14 vitesh, periudhës së Merkelit t’i vijë fundi prej partnerit në koalicion, socialdemokratëve. Nëse kjo ndodh, atëherë do të duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në fund të këtij viti. Ato do të jenë zgjedhje me shumë pyetje të hapura, vazhdon Pohl, por një gjë sipas saj është e sigurtë, që Angela Merkel nuk do të jetë më në gjendje ta marrë sërish postin.
Top Channel