Vetëm pak javë më parë, mediat ndërkombëtare duket se kishin bërë gati përkujtimoret ndërsa Silvio Berlusconi ishte dërguar në spital.

Ish-kryeministri italian, 82 vjeçar, i njohur për festat e tij të famshme dhe gafat e shumta, shpesh në skenat ndërkombëtare, ishte në mes të fushatës për zgjedhjet evropiane kur u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni.

Edhe vetë ai madje ishte frikësuar se mund të kishte arritur fundin. Vitet e fundit ai ka patur një seri problemesh shëndetësore dhe i është nënshtruar edhe një operacioni në zemër në 2016.

Por, politikani i shumëpolemizuar pati një rikthim triumfues. Ai la pas krevatin e spitalit dhe u kthye në fushatë, dhe tani është zgjedhur eurodeputet. Zgjedhja e tij shënon atë që ai shpreson të jetë hapi i parë në kthimin në korridoret e pushtetit, pasi u detyrua të hiqte dorë nga vendi i tij në parlament pas një dënimi për mashtrim me taksat në 2015.

Një gjykatë italiane, vitin e shkuar, ia hoqi masën që e ndalonte të merrte poste publike, për sjellje të mirë. Si emri i parë në listën e partisë së tij, Forza Italia, ai katapultohet direkt në Strasburg.

Berlusconi e sheh veten si një figurë shtetari të pjekur, me eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, kur ishte në pushtet, ai shpesh e kish vënë në siklet Italinë në skenën ndërkombëtare dhe tmerronte eurokratët me shakatë e tij të hidhura.

Por kohët kanë ndryshuar. Ai që dikur mund të ishte makthi më i keq i liderëve evropianë, tani, në një Evropë të fragmentizuar, Berlusconi me gafat dhe shakatë e tij, do të ishte i mirëpritur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA