Frika u tejkalua, ritmi i rrahjeve të zemrës i është kthyer normalitetit, ndërsa e gjithë nata ka qenë festive për Interin, që arriti të siguronte pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.
Festa nisi që në dhomat e zhveshjes, ku mbërriti madje edhe presidenti Zhang, e ku qëndroi për një periudhë të shkurtër edhe trajneri Spalletti, përpara se të drejtohej për intervistat e rastit, duke munguar në foton festive.
Më tej, gjithçka u spostua në “Terrazza Martini”, me fushëpamje nga “Duomo” dhe ku mbizotëronin flamujt zikaltër që i dhanë presidentit kinez një pritje si në përralla, mes festimeve me thirrjet “Milano jemi ne”, që nxitën edhe premtimin se “do të bëjë më të mirën e mundshme për ngjyrat zikaltër”.
Në festë kanë marrë pjesë edhe drejtuesit zikaltër, përfshi këtu administratorin e deleguar Marotta dhe Antonellon, si dhe e gjithë skuadra. Nga kjo e hënë, lojtarët janë zyrtarisht të lirë nga impenjimet dhe, përveç grumbullimeve të mundshme me kombëtaret, shumë prej tyre mund të nisin pushimet.
Por, pikërisht tani nis edhe faza më e nxehtë e punës së drejtuesve, që do të fokusohet kryesisht te risitë në pankinë dhe merkato. Gjatë javës pritet të konkretizohet ndryshimi i pankinës. Spalletti, i cili dje ripërsëriti faktin se “do të donte të qëndronte tek Interi”, konfirmoi shumë shpejt se kishte marrë komunikime të kundërta nga ana e shoqërisë.
Ky është vetëm hapi i parë formal përpara se të shpallet Antonio Conte, akordi me të cilin është arritur prej kohësh, si dhe të shkarkohet trajneri nga Certaldo, gjë që pritet të konfirmohet në ditët e ardhshme brenda gjysmës së parë të javës.
Shkarkimi gjithsesi nuk vjen me mirëkuptim, sepse palët janë të distancuar jo vetëm sa i përket aspektit ekonomik.
Në gjysmën e dytë të javës pritet të njoftohet kontrata trevjeçare me Conten, i cili javën e ardhshme do ta nisë me një vizitë në Kinë për t’u takuar me Zhang Senior, në atë që është kthyer tashmë një rit i Interit nën pronësinë e kinezëve.
Top Channel