Blloqet e mëdha të qendrës së djathtë dhe asaj të majtë në Parlamentin Europian e humbën shumicën e tyre të kombinuar në zgjedhjet e 23-26 majit, që sollën nga ana tjetër një rritje të ndjeshme të mbështetjes për liberalët, “të gjelbrit” dhe nacionalistët.
Parlamenti Europian do të ketë tani shumë ngjyra. Edhe pse Partia Popullore Europiane mbetet blloku më i madh dhe pritet të krijojë një koalicion pro BE-së, me këto votime partitë e qendrës janë tkurrur ndjeshëm.
Pjesëmarrja arriti të rrëzonte një trend të gjatë rënieje, duke mbërritur në gati 51%. Polarizimi i madh mes nacionalistëve dhe pro europianëve i motivoi me sa duket njerëzit, që të dilnin masivisht në votime. Shumë më tepër zgjedhës të moshës nën 30-vjeçare votuan kësaj herë, në krahasim me herën e kaluar, një tregues tjetër që thotë se njerëzit janë të interesuar në temën e Europës dhe të bashkëjetesës.
Në Britaninë që përgatitet për shkëputje nga blloku europian, vota ishte praktikisht një ndëshkim për konservatorët. Partia u dërrmua me nivelin më të ulët të votave në gati 200 vite, duke marrë vetëm 8.8%. Partia e porsaformuar e “Brexit”-it, ndërkohë, shënoi një fitore të madhe. E ndërsa humbje patën edhe laburistët, liberaldemokratët rezultuan me një performancë mjaft të mirë.
Në Gjermani, SPD-ja pësoi një disfatë turpëruese me më pak se 16% të votave, e humbi edhe zgjedhjet lokale në Bremen, ku ka kryesuar prej 73 vitesh. Humbja e dyfishtë e socialdemokratëve pritet të ketë pasoja të forta në Gjermani. Ekzektuivit të Merkelit mund t’i vijë fundi nga partneri i saj i koalicionit qeverisës, e nëse kjo ndodh, atëherë do të duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme brenda vitit.
Populistët sakaq, edhe pse avancimin nuk e patën në nivelin që pritej, i shtuan për çdo rast vendet në PE. Triumfi i tyre sidomos në Itali e Francë iu ka dhënë një zë më shumë euroskepktikëve që duan të rrudhin fuqitë e Bashkimit Europian.
Top Channel