Po konsiderohet si agimi i një Milani të ri, ndërkohë që ai aktuali e mbylli sezonin me 68 pikë të grumbulluara, kuota më e mirë e 6 viteve të fundit, gjithsesi e pamjaftueshme për të arritur objektivin parësor: rikthimin në Champions League.
Tashmë ka nisur ajo që cilësohet si java e reflektimeve, e analizave dhe e hapave të rinj që do të hidhen nga sot e në vijim, siç deklaroi mbrëmjen e së dielës edhe administratori i ri i deleguar kuqezi, Ivan Gazidis. Por, çfarë pritet të ndodhë?
Pothuajse i sigurtë është fakti që Milani do ta nisë nga një drejtor i ri teknik. Epoka e dytë e Leonardos do të mbyllet pas më pak sesa një viti punë, teksa drejtuesi brazilian do të njoftojë dorëheqjen nga klubi me seli në rrugën “Aldo Rossi”. Më pas, ish-mesfushori kuqezi do të rikthehet me shumë gjasë te PSG-ja, për të zëvendësuar drejtorin aktual sportiv, Henrique.
Mbetet të vlerësohet pozicioni i Paolo Maldinit, që ndoshta mund të ndjekë Leonardon drejt një lamtumire, duke lënë kësisoj postin e drejtorit strategjik. Aspekti sportiv i kuqezinjve, me shumë gjasë do t’i besohet portugezit Luis Camps, drejtorit aktual sportiv të Lillës dhe ideatorit të “sukseseve” në merkato të dy ekipeve franceze, Monaco dhe Lille.
Një tjetër nyje gordiane për t’u zgjidhur është edhe trajneri. Ka një takim të programuar mes Gazidis dhe Gennaro Gattusos, i cili pret të mësojë nëse do të vijojë në “timonin” e skuadrës edhe për sezonin 2019-2020.
Në përfundim të ndeshjes me Spalin, trajneri me origjinë kalabreze nuk fshehu njëfarë optimizmi, teksa tha se “nuk ndihej si të kishte zhvilluar ndeshjen e fundit si trajner i Milanit”, por përcaktoi edhe rrugën për t’u ndjekur drejt rritjes së mëtejshme, pavarësisht se Romagnoli me shokë nuk arritën objektivin e vendit të katërt.
“Me pak përforcime me eksperiencë mund të themi fjalën tonë, pasi aktualisht jemi ende shumë të rinj”, tha Rino Gattuso. Por, a do të përputhet vizioni i tij me atë të drejtuesve dhe të drejtorit të ri sportiv? Ndoshta largimi i ish-shokut të skuadrës (Leo) me të cilin ka pasur një vit të komplikuar, mund ta bëjë Rinon të japë më shumë, duke qenë se ka ende dy vite kontratë me një pagë prej 2 mln eurosh.
Gjithsesi, problemi më i madh mbetet ai i “Fair Play”-t financiar të UEFA-s. Me vendin e pestë në klasifikim, “djalli” kuqezi është kualifikuar drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Europa League, por UEFA pritet të vendosë sanksione ndaj merkatos për të respektuar parametrat financiarë të trevjeçarit 2015-2018. Vendimi i organizmit me seli në Nion pritet të vijë shumë shpejt, ndërsa “fantazma” e përjashtimit nga kupat europiane mbetet ende aty.
Top Channel