Kur kanë kaluar plot 50 vite, Montreali kujton nismën e John Lennon dhe Yoko Onos, “Në shtrat” për paqen.

Në qershor të vitit 1969, John Lennon dhe Yoko Ono kaluan muajin e tyre të mjaltit me pizhame, në hotelin “Mbretëresha Elizabeth” në Montreal, dhe regjistruan këngën “Jepi paqes një mundësi”. Këtë e bënë në kulmin e luftës së Vietnamit. 50 vite më vonë, hoteli po feston eksperimentin e tyre të famshëm.

“John dhe Yoko qëndruan në krevat në protestë ndaj luftës së Vietnamit, për një javë. Dhanë shumë intervista dhe nënvizuan qëndrimin e tyre. Veç të tjerash regjistruan edhe këngën ‘Jepi paqes një mundësi’, që u bë një himn për paqen ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i hotelit.

Ishte një rabin që kishte ardhur nga Toronto, që i kishte thënë John Lennonit: John, duhet t’i japësh paqes një mundësi!

E Johni i ishte përgjigjur “Kjo është një frazë shumë e bukur” dhe krejt spontanisht kishte nisur të kompozonte këngën që i vuri të njëjtin emër.

Në atë kohë, askush nuk e kishte idenë e pasojave që e gjithë kjo do të kishte. Tani, kur kanë kaluar 50 vite, me gjithë luftërat dhe zhvillimet e ndodhura, kënga e Lennonit nuk e ka humbur ende aktualitetin e saj.

Top Channel