Hahn po mendon shtyrjen e publikimit të pakos së zgjerimit në BE

24/05/2019 21:54

Kabineti i Komisionierit europian të Zgjerimit, Johannes Hahn po e konsideron seriozisht mundësinë e shtyrjes së publikimit të pakos së zgjerimit të BE-së.

Lajmin e bën të ditur “Radio Europa e Lirë”, e cila citon për këtë pohim të saj burime brenda komisionit. Pasiguria e institucioneve të BE-së vjen si rezultat i presionit nga disa vende anëtare, të cilat nuk janë të gatshme të diskutojnë çështjen e zgjerimit në takimin e muajit qershor. Publikimi i pakos është planifikuar të ndodhë më 29 maj dhe një diskutim në nivel të ministrave, duhet të mbahet muajin që vjen.

Megjithatë, disa prej shteteve anëtare nuk janë të gatshme të diskutojnë mbi këtë temë meqënëse duhet të vendosin për rekomandimin e KE-së mbi fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo çështje, në disa prej anëtarëve të bllokut, kërkon përputhje me procedurat e brendshme, përfshirë miratimin nga parlamentet kombëtare.

Duke qenë se periudha ndërmjet 29 majit dhe 18 qershorit, kur do të mbahet takimi ministror, është shumë e shkurtër, vendet anëtare nuk janë në gjendje të prononcohen lidhur me mundësinë e çeljes së negociatave të pranimit. Situata pritet të qartësohet të hënën, kur do të takohen shefat e kabinetit në Komisionin Europian, i cili përfundimisht do të vendosë nëse do të mbajë ende dokumentin apo do të japë dritën e gjelbër për publikim të mërkurën.

Pakoja e zgjerimit pritet të bëhet publike vetëm tre ditë pas zgjedhjeve europiane, të cilat konsiderohen të kenë qenë arsye për shtyrjen e publikimit të dokumentit, detajet e të cilit zakonisht njoftohen në prill.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA