Ministri i Jashtëm serb u tregua më i drejtpërdrejtë se kurrë në deklaratën e tij të fundit.
Në kohën kur komuniteti ndërkombëtar është angazhuar në maksimum për t’i ulur palët në tryezën e negociatave, duke zhbllokuar kështu procesin e dialogut të ngecur në vendnumëro, Ivica Daçiç thotë se synimi i tij i qartë është që askush të mos e njohë më Kosovën.
“Do të shkoj kudo sepse kjo është puna ime”, ka thënë Daçiç.
Sipas kryediplomatit serb, vendi i tij po tregohet i suksesshëm në bindjen e shteteve të tjera që ta tërheqin njohjen e Kosovës, por kjo, thotë ai, shqetëson disa vende perëndimore. Duke dhënë një shembull konkret, ministri përmendi vizitën e fundit në Afrikë, ku, siç tha, ka njoftuar 7 vende afrikane në lidhje me situatën në Kosovë.
“Afrika ka një rëndësi të veçantë për ne, e kjo për faktin e thjeshtë se ka 53 anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Daçiç.
Ministri serb thotë se e mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, por shton se ruajtja e integritetit territorial është po ashtu një interes strategjik i Beogradit. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 116 vende të botës, megjithatë në mesin e tyre janë edhe 13 shtete që, sipas autoriteteve serbe, e kanë tërhequr njohjen.
Top Channel